Autoritetet komunale të Ferizajt të pafuqishme për t’ua zgjidhur kërkesat e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave të cilët po qëndrojnë tash e tri ditë në sallën e Kuvendit. Kryetari Svarqa zotohet për organizimin e një takimi mes këtyre punëtorëve dhe kryeministrit Mustafa .
Punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj të cilët që tri ditë po qëndrojnë në sallën e Kuvendit, sot i ka ata vizituar edhe kryetari i komunës Muharrem Svarqa. Ai me këtë rast u ka thënë këtyre ish-punëtorëve se përkrah kërkesat e tyre, por si nivel lokal nuk ka fuqi komuna të bëjë më shumë për zgjidhjen e halleve të tyre. U zotua se do të angazhohet edhe për një takim mes përfaqësuesve të sindikatës së këtyre ish-punëtorëve dhe kryeministrit Isa Mustafa.
“Ne natyrisht se kemi marr një premtim se do të takohen tre përfaqësues të sindikatës suaj dhe deri tek ardhja e këtij takimi nuk është ardh për shkak se as unë, e asnjëri prej nesh nuk mund ta caktojë agjendën e kryeministrit . Ky takim do të realizohet cilat do të jenë konkluzionet ose premtimet nga ai takim nuk mund t’i di, por unë mendojë se do të bisedohet për mënyrën e pagesës e cila sigurisht se do të jetë një mënyrë sukseseve në mënyrë që mos të ngarkohet buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari Svarqa.
Pas takimit me kryetarin e komunës një fije shprese u ngjall edhe tek ish punëtorët që po protestojnë tash e tri ditë brenda objektit të komunës.
Ali Azemi kryetar i Sindikatës së këtyre ish -punëtorëve thotë se i besojnë angazhimit të kryetarit për t’u zgjidhur çështja e tyre e cila tashmë është tejzgjatur.
Udhëheqës të komunës së Ferizajt u kanë thënë sot këtyre ish punëtorëve protestues se ata mund të qëndrojnë në sallën e Kuvendit derisa ajo të nevojitet për takime të tjera, e nëse shfaqet kjo nevojë salla duhet të lirohet. Nga ana tjetër ish- punëtorët thanë se do të qëndrojnë edhe gjatë vikendit në këtë vend derisa kërkesat e tyre të plotësohen.