25,11,2024

Qeveria shqiptare në alarm për pronat

Must Read
Qeveria shqiptare

Pas miratimit të ligjit të ri të pronave, nëse do të llogaritej fatura financiare për 4 vendime të dhëna në muajt mars dhe prill nga Gjykata e Strasburgut në favor të pronarëve, ajo kap vlerën 23 milionë euro. Nëse këtyre vendimeve pro pronarëve u shtohet edhe ai i muajit nëntor, kur ligji ishte në fazën e strukturimit, qeveria vetëm për këto periudha ka detyrimin e ndarjes së 28 milionë eurove. Kjo shumë shpërndahet kundrejt një numri të vogël pronarësh, madje të papërfillshëm, pasi në Gjykatën Evropiane sot numërohen 400 ankesa të depozituara në vite.

Për të frenuar këto dënime, dhe për t’i treguar Strasburgut se ligji i ri zgjidh përfundimisht çështjen problematike të pronës, qeveria shqiptare i kërkoi Presidentit të Gjykatës Europiane, Guido Raimondi, të pezullojë shqyrtimin e dosjeve, duke e marrë vetë përsipër kompensimin dhe kthimin fizik për të gjitha vendimet. Kjo kërkesë është bërë dy ditë më parë nga dy ministrat e qeverisë, Arben Ahmetaj dhe Ylli Manjani. Gjatë bisedës, ata i kërkuan presidentit Raimondi, se pezullimi i vendimeve do të krijojë mundësi optimale për të zbatuar ligjin e ri. “Qeveria është përpjekur të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe proporcionale, pa dëmtuar interesat e brezave që do të vijnë. Për 10 vitet e aplikimit të ligjit, në buxhetin e shtetit do të ketë një zë më vete, ku do të alokohen fondet për këtë çështje”, i tha Ahmetaj kreut të GJEDNJ-së.

Dëmshpërblimi

Po ashtu, edhe drejtuesja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Sonila Qato, e cila ka folur më herët për këtë çështje, është shprehur se, “dëmshpërblimi, që vjen për shkak të një mosveprimi të tejzgjatur të shtetit shqiptar, nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, po rrezikon kontributin e taksave të gjithë shtetasve shqiptarë në mbushjen e buxhetit të shtetit për veprimtarinë normale të shtetit”, duke e konsideruar këtë si faktor pengues edhe për zhvillimin e ekonomisë. Gjykata e Strasburgut ka “vënë kusht” për një shpërblim të drejtë për pronarët, në përputhje me konventën e të drejtave të Njeriut, por sipas Qatos shpërblim i drejtë nuk do të thotë detyrimisht shpërblim i plotë. “Nëse Gjykata do ta pranojë formulën tonë si një shpërblim të drejtë, atëherë rruga e të gjitha çështjeve të tjera të depozituara deri më sot në Gjykatën e Strasburgut, apo edhe ato që mund të depozitohen në këtë çast pranë asaj gjykate do të jetë rikthimi, apo nënshtrimi i këtyre shpërblimeve sipas formulës së re që parashikon ligji i ri”, është shprehur Qato, në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës”.

Radha e vlerësimeve

Agjencia ka nisur një vlerësim ekonomik të pronave, sipas renditjes së vendimmarrjes më të vjetër, pra është bërë edhe një listim sipas një renditje kronologjike, ndërkohë që brenda këtyre dy muajve (maj-qershor) ATP do të mbyllë vlerësimet për vitet 1993 dhe 1994. Qato thotë se Gjykata e Starsburgut e ka pranuar si hap të parë kërkesën e qeverisë shqiptare dhe tani pritet vendimi i saj, nëse ligji i ri është në përputhet me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.“Çfarëdo përfundimi të nxjerrë Gjykata e Strasburgut, edhe pasi të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga ana e qeverisë shqiptare, ne si qeveri do ta marrim me shumë seriozitet për ta zbatuar, nëse ajo e pranon për ta vazhduar më tej punën e nisur. Nëse ajo ka vërejtje për këtë formulë, ne mund ta korrigjojmë për të qenë sa më brenda Konventës Europiane për të Drejtat Njerëzore”, ka thënë ajo.

Kërkesa e pronarëve

Që nga janari, kur u miratua ligji, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur nga puna për ta zbatuar formulën e re, ndërkohë që nga viti 1993 shumë pronarë janë pajisur me vendime të komisioneve të ndryshme për kompensim të pronave të zëna nga shteti për qëllime të ndryshme, por ende pas 25 vjetësh ata nuk kanë marrë asgjë. Në këtë situatë, midis pritjes për të marrë zgjidhjen nga qeveria dhe pritjes për të fituar çështjet në Strasburg, ata do të preferonin këtë të dytën, pasi dëmshpërblimi vjen me një vlerë më të lartë. Ndërkohë, në kundërpërgjigje të kësaj, pra për të gjetur zgjidhjen nga ligjvënësit brenda vendit, ata kanë propozuar një variant tjetër, por që, sipas tyre nuk është marrë në konsideratë nga Qeveria. Por, tashmë kur brenda vendit, ligji ka fituar të gjitha betejat (pret përgjigjen e fundit nga Gjykata Kushtetuese), dhe një pezullim të mundshëm të shqyrtimit të dosjeve nga Strasburgu, ish-pronarët do të duhet t’i binden formulës shqiptare dhe brenda 10 viteve të marrin kompensimin.

The post Qeveria shqiptare në alarm për pronat appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img