23,11,2024

Nacionalizmi shqiptar dhe nacionalizmi i vendeve të Evropës-dallimi!!!

Must Read

Shkruan: Besim ZYMBERI

(Shënim ndryshe i 9 majit-Dita e Evropës)

Si me një gjysmë shakaje, kisha shkruar njëherë se, evropianët e pare që zbarkuan në Amerikë, ishin pikërisht ata që e kishin njohur në esencë platformën sociopolitike të Skënderbeut.
9 maji, nuk do ta kishte kuptimin e plotë, po të mos ishte SHBA-ja, me konceptin e saj përfaqësues të kulturës Perëndimore. Është SHBA-ja ajo që, në sytë e botës, ende lë nën hije formën primitive të nacionalizmit të shteteve e kombeve të fuqishme Evroperëndimore!
Është shumë e qartë tani, se, megjithë arritjet e mëdha në shumë fusha, kombet e fuqishme të Evropës Perëndimore, kanë mbetur pengje të formatit feudal të nacionalizmit.
Assesi zhvillimi i hovshëm ekomonik, infrastruktura moderne dhe arritje të veçanta e spektakolare shkencore, nuk mund të mbulojnë defektet nga ai lloj nacionalizmi,që sjell një brishtësi të cenushme nga kultura tjera nacionaliste, shumë më agresive dhe përpirëse, siç ndodh me atë ruse, për shembull!
Edhe vetë zyrtarët e BE-së dhe institucioneve përfaqësuese evropiane, e pranuan këto ditë se nacionalizmi egoist, do të jetë edhe më tutje pengesa kryesore e homogjenizimit kulturor të vendeve të BE-së, apo e evoluimit në një mbikomb evropian, siç e quajtën ata!
Një dimension i tillë kryeneq i nacionalizmit, cënon edhe vetë sigurinë e Evropës. Në linjë ideologjike, një nacionalizëm i tillë egoist, lejon rrugë të gjera e të lehta të depërtimit të joshjeve ideologjike tjera, që nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën e pretenduar të Evropës.
SHBA-ja, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të jetë kujdestari i vëmendshëm i shkarjeve të tilla kulturore e ideologjike evropiane. Është pikërisht egoizmi nacionalist i shteteve evropiane që injoron prezencën e domosdoshme të SHBA-së, në kultivimin e ndjenjës kulturore të përbashkët Perëndimore.
Por, nuk bën pa nacionalizëm.
Nacionalizmi mund të shpërfaqet si ves dhe si virtyt. Nacionalizmi i kombeve Evroperëndimore, deri më sot ka konstruktin e një vesi që, nëpërmjet platformës së sipërorisë kulturore nacionale, cenon bukurinë e një bashkëjeteseje, në formë të një harmonie, të lindur nga dallueshmëritë. Nacionalizmi, nëse e marrim si virtyt, ka të bëjë me prirjet e veçanta të një populli, që i japin kuptim harmonisë që vie nga dallueshmëria. Nacionalizmi si virtyt, duke përurua veçantitë kulturore nacionale, nuk njeh supremacinë kulturore nacionale,, por bën thirrje për njohje të prirjeve të ndërjella kulturore dhe kërkon integrimin brenda pranimit të tyre. Nacionalizmi si virtyt, i thërret kombet që të jetojnë nën një kulm, brenda të cilit ka rregulla të përbashkëta dhe të detyrueshme bashkëjetese, por në mënyrë që nën atë kulm të përbashkët, secili komb ta ketë dhomën e vet të rregulluar sipas shijes së tij.
Shembulli më tipik i nacionalizmit si virtyt, është nacionalizmi shqiptar. Lirisht, edhe në një diskurs shkencor, nacionalizmi shqiptar mund të cilësohet si një tip nacionalizmi human, i kulturuar, i emancipuar, bashkëpunues, jo egoist dhe i aftë që ta njohë dallueshmërinë e secilit, në kuadrin e një harmonie të përbashkët.
Injorimi nga Evropa Perëndimore, i kulturës shqiptare dhe rrjedhimisht edhe i nacionalizmit domethënës shqiptar, detyrimisht ngre dilemën për formatin devijues të nacionalizmit të vetë kombeve të fuqishme evropiane.
Le të kujtojmë se formati i Perandorisë Romake dikur, tingëllonte si një tentative psikopolitike e një imazhi të një linjeje harmonike kulturore në Evropë. Gabimi më trashanik i linjës së lartëpërmendur është, keqkuptimi i kulturës ilire-shqiptare. Roma, kur pushtoi Ilirinë, u soll si ta kishte pushtuar një vend të Azisë, duke përjashtuar kështu padrejtësisht dhe naivisht veten nga modeli kulturor që i duhej vet asaj, e që ishte modeli frymëzues më efektiv për vetë konceptin kulturor, qytetar për Evropën, deri në ditët e sotme.
Ndërkohë, po ajo Perandori Romake, për shkak të pamundësisë, apo paaftësisë për njohjen dhe ndërtimin e një koncepti nacionalist, me parim, virtytin e njohjes së veçantive kulturore të popujve, bashkë me origjinën gjeografike të tyre, do të shuhej vrazhdë pikërisht nga nacionalizmat fisnore e shtetërorë të vendeve dhe kulturave, mu nga Evropa Perëndimore e Veriore. Tipe të tilla të nacionalizmit primitiv, janë fajtorët që lejuan të vinte në jetë, shekuj më vonë, madje edhe një formë brutale e nacionalizmit të tipit hitlerian!
Nacionalizmi shqiptar është vlerë identifikuese e veçantë e Evropës. Nacionalizmi shqiptar, njeh prirjet e veçanta kulturore të popujve, ashtu siç vlerëson nevojat e përbashkëta të tyre. Thënë më qartë, nacionalizmi shqiptar, është i vetmi lloj nacionalizmi në Evropë, që bën dallimin substancial ndërmjet asaj që nuk duhet t’ia cenojmë njëri-tjetrit dhe asaj që nuk mund ta kemi të ndryshme nga njëri-tjetri. Nacionalizmi shqiptar, gjatë gjithë historisë, ndonëse i kultivuar në kushte tepër të vështira, kërcënuese dhe pothuaj të pamundshme, ka ditur gjithnjë të jetë racional dhe modern në esencë. Ndërsa, vetë kultura shqiptare, në origjinë është djepi i lindjes së perëndimit kulturor.
Nacionalizmi shqiptar, si model sociopolitik, do të ishte modeli më përfaqësues dhe më efektiv i linjave të homogjenizimit të mëtutjeshëm të Evropës, si një organizëm i pandarë kulturor me SHBA-në.
9 maji, është një ditë e rëndësishme, jo vetëm për shkak të ndalimit të brutalitetit shfarosës hitlerian. 9 maji, në mënyrë më specifike është i rëndësishëm, sepse troket në ndërgjegjën tonë si një ditë, kur u mund koncepti nacionalist i supremacisë kulturore të një kombi, që nuk pranonte harmoninë e dallueshmërisë, por tentoi të vetëpromovohej si e vetmja linjë kulturore përcaktuese dhe sunduese.
Fatkeqësisht, kompleksi i sipërorisë, ende mbetet si një model i pakapërcyeshëm i shumë kombeve të fuqishme evropiane, ndonëse në rrethana të reja, mjaft i përparuar që të mos prodhojë pasoja të ngjajshme për kah fataliteti, siç bëri ai hitlerian dikur.
Evropa e ka për detyrë që ta çlirojë veten nga ky lloj egoizmi i bazuar tek mania e sipërorisë përjashtuese, ose asimiluese, kulturore!

Ferizaj, 9 maj 2016

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img