Nëse Serbia ka sukses, serbët e Kosovës nuk do të jenë të detyruar që të pajisen me pasaporta të Kosovës për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen.
Qeveria e Serbisë, nëpërmjet Zyrës për Kosovën i ka konfirmuar portalit online të Bashkimit Evropian “Euroactiv” se ka kërkuar zyrtarisht nga BE që serbët e Kosovës të mos detyrohen të pajisen me pasaporta të Kosovës për të përfituar nga liberalizimi i vizave.
“Ne kemi kërkuar nga BE-ja që liberalizimi i vizave të përfshijë serbët që jetojnë në Kosovë, pa marrë parasysh dokumentet e tyre”, ka thënë në një deklaratë Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, raporton Insajderi.
Serbëve të Kosovës u është hequr e drejta e udhëtimit pa viza me pasaporta serbe, pavarësisht se me Kushtetutën e Kosovës ata gëzojnë të drejtën e dyshtetësisë. Ata janë pajisur me pasaporta serbe të lëshuara nga Zyra Kordinuese në Mitrovicën e Veriut.
“Liberalizimi i vizave nuk duhet të zbatohet për një lloj dokumenti, por për të gjithë qytetarët e territorit që u është dhënë e drejta e lëvizjes pa viza”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën.
Por siç citon “Euroactiv.com”, Qeveria e Kosovës thotë se vetëm qytetarët e pajisur me pasaporta të Kosovës mund të gëzojnë udhëtimin pa viza.
“Çdo qytetar i Kosovës duhet të ketë një pasaportë biometrike për të gëzuar të drejtën e lirisë së lëvizjeve në BE”, citohet të ketë thënë Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.
Këtë e ka bërë të qartë edhe komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos gjatë vizitës së tij në Prishtinë.
“Më lejoni të jem i qartë: vetëm pasaportat e Kosovës njihen”, ka thënë Avramopoulos para gazetarëve në Prishtinë.
Por përderisa serbët në Kosovë në përgjithësi nuk preferojnë të marrin pasaportat e Kosovës, shefja e Administratës së Mitrovicës Veriore, Adriana Hoxhiq në një prononcim për Radio Evropën e Lirë, ka inkurajuar serbët e veriut që të aplikojnë sa më shumë për dokumentet që i lëshojnë autoritetet e Republikës së Kosovës.
“Nëse me pyesni se a nxjerrin qytetarët e veriut pasaporta të Kosovës, përgjigja është po”, ka thënë Hoxhiq.
The post Serbia i kërkon BE-së që serbët nga Kosova të udhëtojnë pa viza me pasaporta serbe appeared first on Lajminet.