Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në krye me zëvendësministrin Nehat Mustafa, qëndruan në një vizitë në Portugali, me ftesën e Qendrës Evropiane për Monitorimin të Drogave dhe Varësinë nga Drogat – raporton Gazeta Monitor.
Mustafa kundërshtoi raportin e fundit të EMCDDA, i cili e rendit Kosovën në mesin e shteteve kultivuese të bimëve narkotikëve, duke prezantuar fakte të bazuara në shifra të cilat dëshmojnë se gjendja nuk është alarmante siç është paraqitur në raport.
Gjatë vizitës delegacioni i Kosovës është pritur në takim nga, Constança Urbano De Sousa, ministre e Administrimit të Brendshëm. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dyja shteteve. Ministria De Sousa premtoi përkrahjen e Republikës së Portugalisë për Republikën e Kosovës, në të gjitha organizatat ndërkombëtare që mbulojnë fushën e sigurisë dhe të administrimit.
Gjithashtu, zëvendësministri Mustafa zhvilloi takime edhe me Alexis Goosdeel, drejtor gjeneral i EMCDDA, si dhe Joao Goulao, koordinator Kombëtar i Strategjisë kundër Narkotikëve në Republikën e Portugalisë.
Zëvendësministri Mustafa prezantoi punën e deritanishme që është bërë në Republikën e Kosovës në kuadër të përmbushjes së aktiviteteve që parasheh Strategjia Kombëtare kundër Narkotikëve, si dhe diskutoi mbi objektivat e ardhshme të cilat do të harmonizohen me objektivat evropiane: çështjet ligjore që rregullojnë fushën e narkotikëve, rritja e efikasitetit të veprimeve që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zvogëlimin e kërkesës, zvogëlimin e ofertës, si dhe trajtimin e përdoruesve të narkotikëve.
Gjatë këtyre takimeve, theks i veçantë iu kushtua ngritjes dhe funksionalizimit të dy mekanizmave shumë të rëndësishëm siç janë: Observatori dhe Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë, mekanizma këto që mundësojnë komunikimin e plotë dhe të barabartë të Republikës së Kosovës EMCDDA, konform formës së raportimeve që është për të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Ndërsa zyrtarët e shtetit të Portugalisë ofruan përkrahje profesionale në ngritjen dhe funksionalizimin e Observatorit dhe të Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë. Po ashtu ata premtuan se do t’i shtrojnë për diskutim çështjen e raportit të EMCDDA, në mënyrë që të rishikohen informatat inteligjente të ofruara nga EUROPOL, mbi të cilat është hartuar raporti.
Pjesë e delegacionit ishin: z. Naim Muja, shef i Sekretariatit të Strategjive, nënkolonel Rashit Çalaj nga Policia e Kosovës , z. Ron Krasniqi nga Departamenti për Integrime Evropiane, si dhe Safet Blakaj – drejtor i OJQ”Labyrinth\”.