Jakup Krasniqi, në një opinion të tij të publikuar të martën, ka shkruar gjerë e gjatë për Narcisin dhe fatin e tij tragjik të mbytjes në liqe. Në këtë kontekst, ai ka thënë se edhe opozita në Kosovë “duhet të çlirohet nga mitet dhe mesionarizmi që të shihet realiteti ashtu siç është, se pa e parë të tillë nuk mund të ndryshohet dot.”
“Secili duhet ta dijë se forcat politike veprojnë në përputhje me vizionet që i bashkojnë anëtarët dhe simpatizantët e tyre. Bashkimet eventuale për një kauzë të caktuar nuk duhet t’i verbojë udhëheqësit e tyre deri në atë shkallë sa në “sipërfaqe” të masës të shohin vetveten!”, ka shkruar Krasniqi.
“Duhet ta shohin goxha me sinqeritet edhe “hisen” e natyrshme të të tjerëve në bashkëveprimin politik për ndryshim”.
Partia e Krasniqit, Nisma për Kosovën, së bashku me dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë qenë për disa muaj të angazhuar në aktivitete të përbashkëta, përfshirë këtu organizimin e një numri protestash. por, për disa jave, këto parti kanë ndalur bashkëpunimin dhe kanë akuzuar njëra tjetrën për prishjen e këtij blloku.
“Në jetën politike të një shoqërie bashkimet e përkohshme rreth projekteve të caktuara apo ndarjet eventuale duhet të shihen si pjesë përbërëse e luftës politike. Si rezultat i këtyre luftërave mund të prishet “opozita”, siç mund të prishet ‘pozita’”, ka shkruar Krasniqi.