25,11,2024

Invazioni turk në Kosovë

Must Read

erdothaqi-735x400-620x400

Kompani turke të afërta me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, çdo ditë e më shumë po marrin në kontroll ekonominë e brishtë të shtetit tonë. Përmes një procesi tërësisht jotransparent, konsorciumi turk “Çalik&Limak”, kundrejt një çmimi qesharak, ka marrë në pronësi distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Të njëjtën kontratë së paku deri më tash askush nuk e ka parë në detaje.

Qytetarët e Kosovës ende nuk e dinë se çka iu shit turqve me këtë çmim qesharak. Njësoj kishte ndodhur edhe pakë kohë më parë, kur kundrejt një oferte të pafavorshme kompania turke “Limak” mori në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Të joshur nga lidhjet e forta politike të ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, bizneset turke gati sa kanë marrë primatin e investitorëve më të mëdhenj në Republikën e Kosovës, duke lënë anash ata të shteteve të fuqishme evropiane. Shtrirjen e ndikimit turk në Kosovë në shumë sektorë, e bëri të ditur haptazi edhe zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmush, gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Kadri Veselin.

Njeriu numër dy në Qeverinë e Turqisë tha haptazi se Turqia është e lidhur ngushtë me Kosovën madje e quajti edhe shtet islamik. Ndërkohë që agjendat turke që të shtrijnë ndikimin e tyre në sektorët kyçë, janë të mbështetur edhe me fakte dhe argumente. Asetet kryesore në Kosovë i janë dhënë kompanisë ku aksionar është dhëndri i presidentit aktual të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Për politikat e jashtme të Turqisë në Ballkan që nxit një agjendë neo-otomane, që ka për qëllim zgjerimin e ndikimin e saj, ka shkruar edhe media prestigjioze amerikane “Huffingtonpost”. Muaj më parë, një nga opinionistët e kësaj medie David Philips, ka shkruar se Turqia eksporton islamizmin nën maskën e bashkëpunimit kulturor. “Ajo gjithashtu kërkon përparësi ekonomike, duke përdorur biznesin si një këst për të konsoliduar interesat e saj kombëtare”, ka thënë ai.

Sipas kësaj medie amerikane, shumica e fondeve të TIKA-s janë përdorur për të rivendosur monumentet otomane dhe për të ndërtuar xhami. “Për shembull, TIKA mbështet restaurimin e varrit të Sulltan Muratit në Kosovë. Ajo ka rindërtuar objektet fetare osmane si Xhaminë e Fatihut dhe Xhaminë e Sinan Pashës, e cila kushtoi 1.2 milion euro. Që nga viti 2011, TIKA ka rivendosur rreth 30 struktura fetare nga periudha otomane dhe 20 xhami të reja në tërë Kosovën. Erdogan u zotua personalisht se do të japë fonde për të ndërtuar xhaminë më të madhe të vendit në Prishtinë”, raporton “Huffingtonpost”.

315 milionë euro investime

Përveç privatizimit të dy ndërmarrjeve më të rëndësishme të vendit, bizneset turke po rrisin dukshëm edhe ndikimin e tyre edhe në sistemin financiar, në atë të sigurime, spitaleve të shumta, të cilat po “mbijnë” për çdo ditë, por edhe në sektorin e ndërtimeve, sektor ky që dyshohet për shpëlarje të mëdha të parave.

Bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë shihet qartë se nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës e deri më tash kompanitë turke në vendin tonë kanë investuar më shumë se 315 milionë euro. Në bazë të të dhënave të MTI-së, shihet se vetëm gjatë vitit 2015, kompanitë turke në vendin tonë investuan 57,8 milionë euro, e derisa një vit më parë kompanitë turke në vendin tonë investuan vetëm 20 milionë euro.

Në vitin 2013, kompanitë turke në Kosovë investuar 88,6 milionë euro, në vitin 2012 investuan 65,5 milionë euro, në vitin 2011 investuan 34,7 milionë euro, në vitin 2010 bizneset turke në Republikën e Kosovës investuan vetëm 4,9 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare të MTI-së shihet se në vitin 2009, investimet turke në vendin tonë arritën shumën në 14,5 milionë euro, në vitin 2008 ato arritën në 23,8 milionë euro e derisa në vitin 2007 kompanitë turke në vendin tonë investuan vetëm 5,4 milionë euro, apo 10 herë më pak krahasuar me vitin 2015. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve për vitin 2015 shihet se numri i bizneseve turke që janë regjistruar në shtetin tonë ka arritur në 62, duke lënë mbrapa shtete të fuqishme si Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.

 Të joshur nga politika

Në anën tjetër përfaqësues të organizatave joqeveritare që operojnë në vendin tonë thonë se bizneset turke janë të favorizuara në Kosovë falë lidhjeve të ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin aktual të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Artan Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se afërsia e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka sjellë në Kosovë bizneset turke që janë të afërta me presidentin e Turqisë.

Sipas tij, falë lidhjeve të forta politike kompanitë turke kanë privatizuar, respektivisht komercializuar, distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

“Duke shfrytëzuar këto lidhje politike ata kanë prezantuar shumë më shumë investime se që kanë bërë në Aeroport. Ndërkaq, distribucionin e KEK-ut ata e kanë marrë me para të gatshme”, ka dhënë Demhasaj për gazetën “Zëri”.

Më tej Demhasaj thotë se mund të ketë edhe dyshime rreth origjinës së investimeve turke në Kosovë, pasi që, siç thotë ai, së paku deri më tash nuk ka pasur një prezantim të origjinës së parave, para opinionit.

“Së paku deri më tash nuk është prezantuar ndonjë pasqyrë e prejardhjes së parave të tyre”, ka thënë shkurt Demhasaj.

Por, ndryshe mendon profesor Muhamet Sadiku nga Instituti “Riinvest”. Ai thotë se  populli shqiptar dhe ai turk ndiejnë një afërsi që nga lufta e fundi e Kosovës, kur, sipas tij, shteti turk ka kontribuar në çlirimin e vendit.

“Ne gjithmonë kemi pasur një afërsi me popullin turk dhe kjo është arsyeja kryesore pse investitorët e turq po investojnë në shtetin tonë. Që nga koha e luftës, Turqia ka kontribuar shumë në fillim në çlirimin e vendit dhe më pas në ndërtimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Sadiku.

Dyshime rreth prejardhjes së parave

Në anën tjetër, Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se ka dyshime  rreth prejardhjes së parave të investitorëve turq që po investojnë kapitalin e tyre në shtetin tonë.

“Ka dyshime edhe rreth prejardhjes së parave që ata po i investojnë në vendin tonë në projekte të ndryshme. Dyshimet shtohen edhe më shumë kur kihet parasysh se privatizimi i distribucionit ka qenë komplet larg syve të publikut, e ku tash çdo ditë po dalin informacione për benifitet e kompanisë që bleu distribucionin e KEK-ut”, ka thënë Shatri.

Ai më tej thotë se bizneset turke në vendin tonë në vazhdimësi janë joshur edhe nga politika.

“Gjithmonë arsye mbetet se shteti turk është shtet mik i Kosovës, pasi që ka kontribuar që nga koha e luftës e deri më tash. Por, Kosovës i kanë ndihmuar edhe shtete tjera të Evropës dhe këto asnjëherë nuk zihen në gojë”, ka thënë më tej ai.

Investimet direkte turke:

2015    57.8     milionë euro

2014    20.0     milionë euro

2013    88.6     milionë euro

2012    65.6     milionë euro

2011    34.7     milionë euro

2010    4.9       milionë euro

2009    14.5     milionë euro

2008    23.8     milionë euro

2007    5.4       milionë euro

62 biznese turke janë regjistruar gjatë vitit 2015 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), e cila funksionon pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Kompanitë e mëdha turke në Kosovë:

– “Çalik&Limak” ka privatizuar distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës

– “Limak” ka marrë me koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”

– Fabrika për përpunimin e gomës “Ballkan” në Suharekë, është privatizuar nga kompani turke.

– TEB është bankë me pronësi turke

– BKT është bankë me kapital turk

– “Ish bank” është bankë me kapital turk, si dhe

– “Zirat”, po ashtu, është bankë me kapital turk

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img