Ditën e djeshme Asamblea e Partisë Socialiste u mblodh për të konstituuar disa organe të rëndësishme të partisë, mes tyre edhe kryesinë e partisë. Ndër votat për Sekretariatet, pati dhe fletë të kontestuara, që normalisht duhet të ishin shpallur të pavlefshme. Një nga këto fletë votimi ishte për Koço Kokëdhimën, si kandidat i vetëm për Sekretariatin ku garonte.
Fleta e votimit e kontestuar ishte përzgjedhur me të dyja alternativat, edhe PO edhe JO. Por, nënkryetari i komisionit që numëronte votat, Eridian Salianji zgjodhi që këtë votë për Kokëdhimën ta konsideronte të vlefshme dhe e numëroi si një PO, shkruan sot gazeta ‘Shqiptarja.com’. Një rast flagrant dhe i çuditshëm se si një votë e pavlefshme numërohet si pro, kur në fakt nuk duhej të merrej në konsideratë.
Në një bashkëbisedim me gazetarët dje, nënkryetari i komisionit Eridian Salianji u justifikua duke thënë “kur bëhet fjalë për partinë, marrim anën më të mirë të çdo verdikti”.
Dhe sigurisht që verdikti më i mirë nuk mund të ishte kundër Koço Kokëdhimën, i etiketuar ndryshe edhe si ‘Kryeministër i Jugut’. Në fakt, kjo votë nuk do të përbënte ndryshim edhe sikur të ishte kundër apo të shpallej e pavlefshme, pasi Kokëdhima ishte i vetmi kandidat për Sekretarin që synonte. Eridian Salianji është përfaqësues i PS në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.