25,11,2024

Rrëfimi për fshatin e Llapit me 10 banorë

Must Read

Fshati-me-10-banorë-650x358

I rrethuar me bjeshkë në të gjitha anët, me një peisazh mahnitës, fshati Sllatinë i cili gjendet 20 kilometra larg qytetit të Podujevës, ka mbetur me më pak se 10 banorë.
Toka, në të cilën dikur kultivoheshin kultura të ndryshme bujqësore, në ditët e sotme nuk ka aspak përkujdesje dhe është mbushur me shkurre.
Përkundër rrethanave të krijuara atje, mendja nuk i është ndryshuar 87 vjeçarit, Mustafë Latifit, nga ky fshat, i cili për KosovaPress thotë se në Sllatinë ka lindur dhe aty do të vdes.
Ai sot gëzon një shëndet të mirë, dhe pavarësisht moshës, thotë se dëgjon dhe sheh shumë mirë.
“Shtëpia jonë u kanë 54 anëtarë. Janë hekë krejt, veç unë kam mbet. Unë e kam dashtë vendin, kurrë nuk kom pas qejf me u hekë, kurrë hiq, se vend i shëndosh u kanë. Sot me dëgjua, dëgjoj, dhe me pa, shoh, asnjë i ri nuk tutna që sheh më mirë. Me gjah jam merr 80 vjet, me gjah nuk ka vend që nuk jam njohur se gjahun e kom desht fort”, thotë Latifi.
Përndryshe, ky fshat në të kaluarën kishte 32 shtëpi të banueshme, por sot aty gjenden vetëm dy shtëpi. Pavarësisht numrit të vogël të banorëve që gjenden në këtë fshat, shkolla asnjëherë nuk është mbyllur.
Këtë e thotë edhe kryeplaku i këtij fshati, i cili tregon se kjo shkollë sot hap dyert e saj për vetëm gjashtë nxënës, të cilët vijojnë mësimin e rregullt.
“Me llogarit në Sllatinë nuk janë krejt 10 banorë, jonë hekë krejt, e kanë lëshuar. 32 shtëpi jonë kanë. Deri në Reçicë më lart tek shkolla e deri në Dvorizhdë, 32 shtëpi u kanë Sllatina, krejt jonë hekë. Shkolla larg, e kështu i kanë lëshua shtëpitë. Se shkollat jonë ndërtuar këtu, shkolla ka pas gjithë, po tani e lëshuan populli. Mbet larg këtu, tani u hekën krejt… Për shkollë jonë hekë se shkolla larg mas pari. Udhë s’ka pas. Kjo udhë mas pari u fol që 30 vjet me u ndreq, tek vjet ja kanë nis, këtu e kanë lëshuar vendin për rrugë më së shumti. Udhë jo, shkollë jo, fëmija larg, në Pollatë u kanë shkolla. Shkolla punonë edhe sot, po te na i ka gjashtë nxënës. Reja jem është mësuese. Gjashtë nxënës i ka, nuk ka të tjerë. E kanë lëshuar shumë këtë vend. Reçica u kanë me 27 shtëpi, asnjë nuk është sot”, rrëfen Latifi.
Ai me mall flet për të kaluarën e këtij fshati, e cila ishte plot gjallëri. Gjatë tërë kohës tregonte insistimin e tij për qëndrim në këtë tokë, për të cilën thotë se ka qenë e shëndoshë.
Për dallim prej të kaluarës, kur njerëzit kanë qenë punëtorë dhe kanë kultivuar tokën, Latifi thotë se një gjë e tillë nuk ndodh sot, sepse të rinjtë i duan vetëm gjërat e gatshme. Ai tregon se toka ka qenë e frytshme dhe në të janë kultivuar kultura si: misër, tërshërë dhe grurë. Ndërsa sot Latifi thotë se toka ka mbetur djerrinë, për shkak të moskujdesit ndaj saj.
Sllatina, sipas tij ka mbetur një fshat i heshtur, në të cilin sheh vetëm bjeshkë të braktisura pa jetë njerëzish.
Latifi rrëfen edhe për dëmet që i ka shkaktuar lufta e fundit në Kosovë. Ai thotë se Sllatina është i vetmi fshat në Kosovë, i cili ka pasur shtatë kulla të ndërtuara, të cilave tash u kanë mbetur vetëm them elet.
latifi-230416_8529
“Në kohë të luftës e kanë shkatërruar krejt, shtëpitë që jonë kanë. 7 kulla i kemi pas edhe unë kam pas kullë, 3 herë u kall ja kem qit prapë kulmin. Kjo luftë e prishi krejt edhe nuk u ndërtua më. I vetmi katund është në Kosovë që i ka pas shtatë kulla në atë kohë dhe kullat jonë kanë dy kat…Veç themelet u kanë mbet”, rrëfen 87 vjeçari nga Sllatina e Llapit.
Policia kufitare e Kosovës kalon shpesh nëpër këtë fshat. Latifi thotë se i kënaqet zemra kur i sheh dhe gjithherë i përshëndet. Sipas tij, liria është e shenjtë, prandaj duhet ta vlerësojnë atë.
“Kur u lanim në lum, e vinin xhandarët e Serbisë dy 40 metra larg njëri tjetrit, ky i pari na godiste kah 1 shupl akë pse na folët, e i dyti thoshte pse po ikni, edhe ai kah 1 shuplakë, dy herë u rrahshim”, tregon Latifi.
Në fund, nga kufiri i fshatit, Latifi na përshkruan vijën kufitare me Serbinë në këtë pjesë, afërsia me të cilin në disa pjesë është vetëm 100 metra.
“Ajo maja atje, ky bregu që është lart është kërshi i Uglarit, tek ai lisi më i larti që është 100 metra më tej është kufiri me Serbinë. Këqyre ajo maja atje për qaty është kufiri. Krejt kufiri me Serbinë për andej shkon e këndej edhe vjen në atë maje shkon për qashtu. Atëherë është ndërtuar me ato humkat, e kanë bërë dheun tubë ato nuk janë prishur kurrë”, tha Latifi.
Latifi në fund thotë, se me orë të tëra qëndron në ballkon të shtëpisë së tij për të parë bukurinë e këtij fshati, por Latifi thotë se i vjen keq që sot këto toka kanë mbetur të braktisura.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img