Pyjet e Kosovës janë duke u prerë me ritëm shumë të lartë, duke rrezikuar shpyllëzimin e shkallës së gjerë dhe humbjen e habitatit të qindra mijëra specieve.
Qendra RIT për Energji dhe Resurse Natyrore (CENR), me mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (UNAFO) ka projektuar dhe ka realizuar një studim rreth përdorimit të lëndëve djegëse nga druri nëpër ekonomitë familjare në Kosovë, transmeton infokosova.
Studimi gjeti se rreth 2.05 milionë metra kub dru konsumohen në vit, d.m.th. më shumë se 1.2-1.3 milion metra kub që lejohen për prerje, sa vlerësohet të jetë prerje e qëndrueshme nga Grupi norvegjez për pylltari dhe nga Ministria e Bujqësisë së Kosovës.
Shkalla e tillë e prerjes tejkalon shumë kufijtë e qëndrueshëm të vlerësuar, dhe në qoftë se prerja e druve vazhdon me këtë ritëm të shpejtë, llogaritet se në 20 vjet Kosova do të rrezikojë shpyllëzimin masiv, që praktikisht do ta shkatërrojë tërë ekosistemin në këto hapësira.
Studentët e “RIT Kosovo” janë angazhuar nga CENR për t’i mbledhur të dhënat dhe janë duke punuar për t’i treguar publikut nivelin e përdorimit të drurit dhe shpyllëzimin që po shkaktohet në Kosovë.
Dr. Michael Waschak, drejtor i RIT CENR, thotë se “humbja e biodiversitetit dhe shpyllëzimi janë dy probleme serioze të cilat e kërcënojnë qëndrueshmërinë e Kosovës”. Ai gjithashtu thekson se “është krenar që studentët e RIT-it janë përfshirë dhe po bëjnë përpjekje për ta dokumentuar pasurinë mjedisore të Kosovës dhe për t’i ndarë këto informata me publikun”.
Për qytetarët e Kosovës, biomasa e drurit konsiderohet si një nga burimet kryesore për ngrohje, për gatim dhe për aktivitete tjera të ngjashme, gjë që ngritë nivelin e konsumit të drurit shumë mbi nivelet e rekomanduara të prerjes.
Kjo jo vetëm që rrezikon humbjen e pyjeve, por rrezikon edhe shkatërrimin e biodiversitetit në këto lokacione. Siç tregojnë studimet e shumta, 70% e kafshëve dhe bimëve tokësore gjenden nëpër pyje, prandaj nuk mund t’i mbijetojnë shpyllëzimit i cili po e shkatërron habitatin e tyre.
Bekim Bytyçi, administrator dhe zyrtar i financave në Parkun Nacional të Sharrit, tha se ky institucion aktualisht punëson 19 persona dhe se zona e mbrojtur e Sharrit mbulon pothuajse 5 për qind të territorit të Kosovës. Bytyçi thekson se “që nga viti 2002, qeveria nuk ka investuar fare në këtë park”.
Puna që është duke bërë stafi i Parkut të Sharrit i ka lënë mbresa ambasadorit norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, i cili tha se “stafi i përkushtuar i Parkut Nacional të Sharrit është duke bërë punë të shkëlqyeshme në mbrojtjen dhe monitorimin e parkut dhe të kafshëve të egra që jetojnë aty”.
Studentët e RIT-it të cilët ecën nëpër male dhe patën mundësinë që ta shohin shkatërrimin e pemëve në Parkun e Sharrit thanë se “është për të ardhur keq se si njerëzit mund të jetë aq të pavëmendshëm rreth mjedisit dhe me vetëdije i shkatërrojnë pemët e vjetra për dekada të tëra për profit”.
Disa nga studentët ndanë idetë e tyre me interes për të gjetur zgjidhje dhe për t’i zbatuar projektet me qëllim të ndaljes së shpyllëzimit.
Një nga studentët tha se “vendi ynë ka nevojë për të gjetur burime alternative të ngrohjes duke pasur parasysh se nipat e stërnipat tanë do të jetojnë në një katastrofë mjedisore në qoftë se kjo vazhdon të ndodh me këtë ritëm të shpejtë”.
Me qëllim që t’i shohin efektet e prerjes masive të drurit, studentët e RIT-së kanë krijuar një sistem të teknologjisë së lartë të vëzhgimit me 27 kamera të vendosura mbi pemë nëpër vende të ndryshme në tërë Parkun Nacional të Sharrit dhe 3 dronë fluturues për ta dokumentuar dëmin nga ajri. Këto kamera do të ndihmojnë që të kuptohet se kush prej njerëzve dhe cilat kafshë lëvizin nëpër pyll. Dronët që fluturojnë mbi pyll do të ndihmojnë në dokumentimin e vendeve ku po prehen pemët. Përveç monitorimit se çfarë po ndodh në park, studentët gjithashtu po shpresojnë ta informojnë publikun përmes faqes së CENR në internet.
Në lidhje me këtë projekt, ambasadori norvegjez, Braathu theksoi se projekti “siguron mundësinë e një qasjeje më shkencore dhe të bazuar në dëshmi për monitorimin dhe analizimin e pranisë së kafshëve të egra dhe për shpërndarjen e tyre në Parkun Nacional të Sharrit. Kamerat zbulojnë një përzierje të bollshme dhe shumë interesante të kafshëve të egra në këto male. Kjo paraqet edhe një shembull se si studentët e RIT-it po i kontribuojnë komunitetit dhe vendit të tyre”.
Duke marrë parasysh rëndësinë dhe nevojën e mbledhjes së informacionit konkret në lidhje me gjendjen e biodiversitetit në Kosovë, ky projekt i mbikëqyrjes synon të zgjasë edhe në vitet që vijnë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të theksohet se ky projekt përkrahet nga ambasada norvegjeze dhe amerikane në Kosovë.
Qytetarët e Kosovës duhet të bëhen të vetëdijshëm për kërcënimet që vijnë nga shpyllëzimi. Prandaj projektet si ky të cilat angazhojnë brezat e rinj të Kosovës në përvojë praktike dhe për t’i vëzhguar çështjet mjedisore, janë të nevojshme për të ndihmuar në ngritjen e vetëdijes së popullit të Kosovës dhe për t’i shtyrë ata që të mendojnë për të ardhmen dhe për mbrojtjen e mjedisin e tyre.