Derisa KEDS është duke i zhvilluar investimet e saj në mbarë vendin për renovimin e rrjetit elektrik, duke zhvendosur edhe njehsorët elektrik nga shtëpitë nëpër shtylla elektrike për të zvogëluar humbjet e energjisë, kjo në Komunën e Podujevës është penguar nga disa qytetarë të Podujevës, përkatësisht nga banorët e lagjeve në rrugën “Skënderbeu”.
Edhe pse punonjësit e KEDS-it, gjatë punimeve ishin të asistuar nga policia, me një marrëveshje ndërmjet zyrtarëve komunal dhe të KEDS, punimet janë ndërprerë, meqë sipas zyrtarëve komunal në bazë të marrëveshjes për investime nuk ishin paraparë edhe zhvendosjet e njehsorëve elektrik.
Drejtuesit e komunës gjatë një takimi që kanë pasur të premten me zyrtarë të KEDS, kanë kërkuar nga kompania në fjalë që t’i drejtohet prej të hënës së ardhshme komunës me një kërkesë për një zgjidhje alternative të këtij problemi. Mirëpo, sipas zyrtarëve të kësaj komune, KEDS-it nuk do t’i lëshohet leja për këtë zhvendosje të njehsorëve, sepse me këtë veprim të KEDS nuk ka siguri për qytetarët dhe kalimtarët nëpër këto lagje.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Podujevës, Durim Salihu tha se në takimet që kanë pasur me KEDS në vitin 2014, lidhur me implementimin e një projekti që përfshinë Komunën e Podujevës, qoftë për qytetin dhe zonën rurale, pëlqimi ka qenë që të bëhet ndërrimi i tërësishëm i shtyllave nga ato të drurit në ato me shtylla të reja të betonit dhe telat përçues. Por sipas Salihut, në atë kohë nuk është e përfshirë në kërkesë të KEDS-it, edhe zhvendosja e njehsorëve nga hapësirat e brendshme të objekteve të qytetarëve në pjesën e jashtme.
Drejtori i urbanizmit tha se duhet t’i shohin zgjidhjet alternative që nuk shkakton rrezikshmëri për qytetarët ose kalimtarët, por edhe në anën tjetër që mos ta prish imazhin në aspektin vizual urban të qytetit. Sipas tij, çështja e imazhit të qytetit është arsye e parë kundërshtimit për zhvendosjen e njehsorëve elektrik.
Salihu tha se projekti të zbatohet si investim kapital nga KEDS që mund të jetë në të mirë të qytetarëve, pa i anashkaluar kërkesat dhe propozimet e qytetarëve. Komuna po mendon që të paktën për dy rrugët kryesore të qytetit, për rrugën “Zahir Pajaziti” dhe për rrugën “Skënderbeu”, të gjinden një alternativë që sistemi i rrjetit energjetik të jetë nëntokësor, ku këtë propozim e kanë mbështetur gjatë takimit të premten edhe zyrtarë të KEDS.
Zëdhënësi KEDS, Viktor Buzhala tha për KosovaPress se KEDS nuk është lejuar të enjten të vazhdojë investimet në qytetin e Podujevës, prej një grup i qytetarëve që kanë penguar punëtorët që të vazhdojnë me shtrirjen e rrjetit të ri.
“Humbjet e energjisë elektrike në këtë pjesë janë rreth 80 për qind, që mund të jetë edhe arsyeja pse po ndalohet KEDS-i të investojë. Gjithashtu, aty janë të kyçur disa konsumatorë edhe në mënyrë ilegale, pra direkt në rrjet pa njehsor fare, kjo situatë është e papranueshme. Me anë të këtyre veprimeve po krijohen vonesa të panevojshme, ku po pësojnë direkt qytetarët më të përgjegjshëm të vendit”, tha Buzhala.
Sipas tij, projektet investive të KEDS-it janë për shërbime më kualitative për konsumatorët dhe për t’i zvogëluar humbjet si teknike, ashtu edhe ato komerciale.
“KEDS është i vendosur ta kryej misionin e vet dhe nuk do të ndalet në realizimin e tij, që është të ofrojë shërbime sa më kualitative për të gjithë qytetarët pa dallim. Në kryerjen e këtij misioni, presim ndihmën edhe të strukturave komunale, sikurse organeve të rendit dhe drejtësisë”, tha Buzhala.
KEDS ka lajmëruar Policinë e Kosovës e cila po merret me këtë rast. Shefja e Operativës në stacioni e Policisë në Podujevë, Antigona Çitaku – Dibrani për KosovaPress tha se pas kërkesës së KEDS, të enjten i kishin dalë në ndihmë zyrtarëve të kësaj kompanie për të mbajtur rendin në Podujevë për kryerjen e disa investimeve në rrugën “Skënderbeu” nga ana e KEDS, mirëpo sipas saj, kishte pakënaqësi nga disa banorë të dy lagjeve në këtë qytet, të cilët kundërshtonin zhvendosjen e njësorëve elektrike nga shtëpitë e tyre nëpër shtylla elektrike.
Çitaku-Dibrani tha se derisa policia ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ishin duke u zhvilluar punimet e KEDS, mirëpo ka dal inspeksioni i komunës së Podujevës në vendin e ngjarjes të cilët kanë prezantuar një vendim, ku KEDS-it i ndalohet zhvendosja e orëve për atë ditë.
Kështu që sipas saj, me një marrëveshje ndërmjet zyrtarëve komunale të Podujevës dhe zyrtarëve të KEDS, janë ndërprerë ato punime deri në sqarimin e vendimeve të tyre për të punuar apo jo në atë lokacion.
Ajo tha se nuk ka pasur incidente nga qytetarët e pakënaqur të mbledhur në shenj pakënaqësie për ndërprerjen energjisë elektrike nga ana e KEDS-it në rrugën “Skënderbeu”, afër shkollës fillore, ku e kishin bllokuar qytetarët, por me ndërhyrjen e policisë rruga është zhbllokuar dhe qytetarët janë shpërndarë të qetë, pasi edhe KEDS-i ka lëshuar rrymën në këto lagje./KosovaPress/
– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/nacionale/podujeva-nuk-do-te-lejon-zhvendosjen-e-njehsoreve-ne-shtylla-elektrike-70845/#sthash.c0VkEKPX.dpuf