Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmus, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë me rastin e shënimit të Ditës së Komunitetit Turk.
Sipas komunikatës, kryeministri Mustafa e njoftoi Kurtulmusin për të arriturat në Kosovë, për vlerat multietnike të shoqërisë kosovare dhe për rolin e rëndësishëm të komuniteteve pakicë, duke përfshirë komunitetin turk, në progresin e gjithanshëm të Kosovës.
Duke e falënderuar për përkrahjen e deritashme të Turqisë, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e në fusha tjera të jetës.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, kërkoi përkrahjen e Turqisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, vlerësoi lart të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejme të Turqisë për Kosovën.
Zëvendëskryeministri Kurtulmus, po ashtu, theksoi përkushtimin e Turqisë për fuqizimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.