Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka treguar në detaje bisedimet që kanë pasur përbrenda bllokut opozitar si për krijimin e listës së përbashkët, ashtu edhe të funksionimit të Këshillit Drejtues të alternatives.
Krasniqi në intervistën dhënë në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel ka treguar edhe synimet që kishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj brenda bllokut.
“Ramush Haradinaj ka dëshiruar të jetë bartës i listës ose mandatar për kryeministër. AAK po ashtu ka kërkuar që ndarja e ministrive të bëhet në mënyrë të barabartë pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se Haradinaj është duke u gënjyer vazhdimisht nga njerëzit e pushtetit.
“Loja që po e bënë Kadri Veseli ka me rezultuar me një zhgënjim të radhës të Ramush Haradinajt. Ai është i gënjyer dy herë nga Hashim Thaçi, e ka gënjyer Isa Mustafa e tani është duke e gënjyer edhe Kadri Veseli dhe në fund si AAK ashtu edhe NISMA kanë me kuptuar se kanë qenë të shfrytëzuar nga PDK”, ka deklaruar zëdhënësi i Vetvendosjes.
Sipas Krasniqit, në Kosovë janë dy qendra të gravitetit sa i përket gjithë sferës politike. Njëra është Vetëvendosje dhe tjetra PDK. Atëherë çdo largim nga Vetëvendosje, cilindo subjekt apo individ e qon nga PDK-ja dhe kjo është vërtetuar edhe më herët.
“AAK-se e NISMA-as u është dashtë vetëm një javë largim nga Vetëvendosje për të dalë me deklarata se janë të gatshëm të bëjnë koalicion me PDK-në”, ka thënë ai duke shtuar se Vetëvendosje e përjashton mundësinë e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës.
Krasniqi gjatë bisedës flet edhe për koalicionin mes AAK-së e NISMA-s, për zgjedhjet e parakohshme, për protestën e radhës të thirru nga AAK-ja si dhe për shumë tema tjera aktuale në vend./Tribuna/