24,12,2024

Të fshehtat e jashtëzakonshme të Laçit (Video)

Must Read
Laçi

Gjithmonë ky qytet është paragjykuar, ndoshta për shkak të problemeve që e kanë shoqëruar në postdiktaturë, ndoshta sepse asnjëherë nuk është shkruar e folur mjaftueshëm për të. Fakt është se, Laçi dhe historia e tij janë lidhur më shumë me krenarinë e “Superfosfatit”, sesa me diçka tjetër. E megjithatë, edhe ky qytet ka gjurmët e tij të fshehura.

Të ngjitesh për në kala nuk është e lehtë. Rrugë ka, por makinat s’mund të shkojnë. Kjo, si pasojë e gardheve dhe rrugës, që dikund është bllokuar nga pronarë të rinj, që gjurmët e tyre i kanë lënë kudo, edhe te mjedisi.

“Sinqerisht, kur i shoh edhe sot në këtë moment, më mbushen sytë me lotë nga inati, sepse kjo është frymëmarrja e qytetit. Këto kanë qenë vendosur atëherë për shkak se këtu, Uzina e Superfosfatit prodhonte acid kudron, acid sulfurik, acid nitrik, e për këtë shkak kërkohej që të pasurohej ajri . Sot ato i presin. Ç’tiu bësh”, thotë Nikollë Lleshi.

Legjendat që rrethojnë këtë vend janë po aq të shumta, sa ato të Kishës së famshme të Shën Ndoit, që shtrihet në kodrën përballë. Të gjithë tregojnë për mrekullitë, për të shëruarit, për vizitat e shumta të njerëzve nga të gjitha besimet, ashtu siç tregojnë edhe për fiset ilire që jetonin këtu. Si për të mbështetur këtë frymë mistike, studiuesi Nikollë Lleshi ka propozuar edhe ndërtimin e një portreti gjigant të Papa Klementit të Xl, i cili ka qenë me origjinë nga kjo zonë. E megjithatë, deri më sot gjithçka ka mbetur në trajtën e fjalëve. Asnjë nismë konkrete nuk është marrë për të zbuluar dhe vlerësuar këtë pjesë.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=u70dhVcx6yg?feature=oembed&w=640&h=360]

Të dhënat për kalanë e Laçit janë të pakta, e kjo sepse asnjëherë nuk është studiuar sa dhe siç duhet. E megjithatë, arkeologët kanë mundur të identifikojnë rrënjët e saj që në shekujt IV-III para Krishtit. Në një mbishkrim të shekullit të I-rë përmendet emri “Lupus, Parthinus ex Latio”. Kjo tregon se, edhe emri Laç nuk është i rastësishëm. Edhe pse kjo kala identifikohet më së shumti me emrin “Sebasta”, një botim i Neritan Cekës, Myzafer Korkutit, Apollon Baçes, nën kujdesin e arkeologut francez, Pierre Cabanes, e njeh me emrin e lashtë “Latium”, që ka lindur si pikë kontrrolli e rrugës Dyrrah-Lis-Shkodër. Në shekujt e parë jeta zbret në fushë, por rikthehet sërish në të IV-tin sipër, në kodrën e njohur të Shën Antonit, ku sërish sipas arkeologëve të sipërpërmendur ngrihet një kështjellë tjetër, e më pas edhe kisha e famshme. Por nëse kjo është e shkuara, e tashmja nuk ka më të njëjtën lavdi. Përkundrazi…

Nga njëri krah dallohet mbrojtja natyrore, ndërsa në pjesën tjetër, muret mezi qëndrojnë në këmbë.

Në këtë vend nuk janë kryer punime mirëmbajtjeje. Gjendja aktuale, ku të paktën kanë mbetur disa fragmente muresh, është si rrjedhojë e ndërtimit cilësor të mjeshtrave antikë, që i ka mbijetuar shekujve, pa pasur deri më sot asnjë lloj restaurimi nga organet përgjegjëse.

“Janë pak, ata njerëz që kërkojnë ta nxjerrin në pah vlerën etnokulturore, etnohistorike, arkeologjike të një vendi. Fakt, siç ne e pamë, është se ne nisemi nga çfarë shohim në ndërtimet e vonshme, e nuk nisemi nga rrënjët që kemi ne si popull, nga rrënjët e kulturës sonë. Asnjë popull nuk ekziston pa kulturë”, thotë Nikollë Lleshi, studiues.

Edhe ndonjë punim i kryer në pastrimin e një pjese të mureve nga bimësia nuk ka lidhje me organet përkatëse. Mesa duket, as këtë nuk kanë pasur kohë ta bëjnë.

“Unë isha i detyruar të shkoja në Bashkinë e qytetit të kërkoja ndihmë për 3-4 punëtorë, që të prisnin ferrat dhe bimësite e tjera që kishin mbuluar muret. Atje nuk e gjeta përkrahjen për të më dërguar dy punëtore, atëherë iu drejtova një ish-ushtaraku, i quajtur Llesh Doda, pasi e dija që ai dispononte një motosekë. I kërkova ndihmë atij, e pa u kursyer fare ai ishte i gatshëm. Të nesërmen në orën 8 të mëngjesit, bashkërisht me të erdhëm këtu. Këtu ku jemi, 60 metra në krahun e lindjes, plus dhe nga perëndimi rreth nja 120 metra, kemi prerë bimësi brenda të gjithë ditës”, thotë studiuesi Nikollë Lleshi.

Pjesa tjetër është e padallueshme. Në një krah terreni, e në tjetrin bimësia e erozioni nuk lejojnë të dallohet më asgjë. Çfarë fsheh nëntoka e këtij vendi, kurrë të eksploruar siç duhet? Arkeologu i njohur, Skënder Muçaj i referohet të dhënave që flasin se, në “Sebaste”, Kuvendi i etërve observantë ka pasur kishën e Shën Mërisë të shuguruar në 1557-n nga Gjon Bruno, kryepeshkop i Tivarit. Kjo është vetëm një e dhënë, por sa shumë mund të ketë të tjera nën këmbët tona? Askush nuk ka bërë asgjë për t’i shtuar një tjetër vlerë këtij qyteti. Besimtarë të pafundëm ikin e vijnë nga e gjithë Shqipëria në kishën e Shën Ndoit, ku besimi, mrekullitë, historia e misteri gjenden thuajse në të njëjtin vend.

Një nga problemet më të mëdha që mund të hasësh sot, në të gjithë Shqipërinë, është njohja e kufizuar që kemi për historinë, për të shkuarën, për të vërtetat që ajo ofron. Mes tyre edhe për Laçin, të cilin nga sot duhet ta konsiderojmë siç është, një qendër e dikurshme ilire. /TopChannel

The post Të fshehtat e jashtëzakonshme të Laçit (Video) appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img