Rasti më flagrant është ai i Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka programuar të shpenzojë 11 milionë e 700 mijë lekë të reja, apo afro 85 mijë euro, vetëm për bileta avioni, për vitin 2016.
Kaq është shuma që ai i ka vënë në dispozicion Agjencisë së Prokurimit Publik. Tenderi, siç shihet në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga lapsi.al, është zhvilluar me 15 mars 2016.
Objekti i prokurimit është “Blerje bilete udhëtimi për transport ajror ndërkombëtar për Bashkinë e Tiranës për vitin 2016”.
Afati për realizimin e këtij shërbimi është 31 dhjetori 2016. Po për çfarë i nevojiten Bashkisë së Tiranës kaq shumë bileta avioni?
Në këtë buxhet duket se janë futur edhe biletat për 20 gazetarët që Veliaj mori me vete në Milano në fundjavë, për të asistuar në takimin e tij privat me arkitektin Stefano Boeri.
Nuk përjashtohet mundësia që Veliaj të ketë parashikuar të tjera udhëtime si ky i kësaj fundjave, për të shëtitur nëpër botë që të shohë si ç’punë kanë realizuar arkitektë e artistë të ndryshëm, se si po i gjelbërojnë ata kryeqendrat e botës, ndërkohë që Veliaj akuzohet në Shqipëri se po varros edhe të vetmen hapësirë të gjelbër të Tiranës.
Veliaj, siç rezulton nga shuma që do të shpenzojë për fluturime ndërkombëtare, duket se do të fluturojë jo pak këtë vit. Dhe shpenzimet janë disa herë më të mëdha, pasi me 11.7 milionë lekët e reja do të blihen vetëm për biletat. Këtu nuk përllogariten hotelet apo darkat e luksit.
Nga mazhoranca parlamentare janë jo të paktë qeveritarët e vënë nën akuzë nga kundështarët politike se po shpenzojnë më shumë kohë jashtë vendit, sesa në Shqipëri. I pari në listën e atyre që ka flutuar më shumë jashtë është kryeministri Edi Rama.
Erion Veliaj i ka tashmë më të pakta mundësitë protokollare për të qenë pjesë e delegacioneve qeveritare në udhëtimet jashtë vendit, pasi nuk është pjesë e kabinetit qeveritar. Por për të mos mbetur mbrapa ish –kolegëve në qeveri, ai duket se i ka rezervuar vetes të tjera privilegje luksi, të paguara me taksat e qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës, të cilat i ka rritur jo pak me të ardhur në krye të Bashkisë. /Lapsi.al
The post Ja sa do të shpenzojë Erion Velija për bileta avioni këtë vit appeared first on Lajminet.