Në një kronologji të problemit me blerjen e autobusëve të rinj, Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ka akuzuar ministrin Avdullah Hoti dhe shefin e tij, Isa Mustafa, se po bllokojnë këtë proces.
“Kanë kaluar saktë nëntë muaj prej kur Ministria e Financave, Trafiku Urban, Banka Evropiane për Rindertim dhe Zhvillim dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar kushtet e kredisë për blerjen e 51 autobusëve për Trafikun Urban. Kjo blerje mundëson nisjen e një reforme të thellë dhe të domosdoshme të transportit publik në qytetin tonë. Pas këtij nënshkrimi, Bordi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e ka aprovuar kredinë dhe për pasojë është nis procedura e tenderimit ndërkombëtar me rregulla të BERZH për blerjen e 51 autobusëve për Trafikun Urban”, ka thënë Sejdiu në profilin e tij në Facebook. “Në mënyrë që të shpallet fituesi dhe nënshkruhet kontrata, BERZH, Trafiku Urban dhe Komuna e Prishtinës janë në pritje të garancionit të sovranitetit, për të cilin garancion Komuna e Prishtinës është dakorduar t’i paguajë 50,000 euro Ministrisë së Financave”, ka thënë Sejdiu.
Nënkryetari i Prishtinës ka kujtuar edhe se para katër muajsh Ministria u ka dërguar një letër me tri kërkesa.
“Brenda ditës ju kemi përgjigjur dhe kemi dërguar gjitha sqarimet (ndonëse të njëjtat i kanë pasur që nga Tetori i vitit të kaluar). Dhe pas kësaj, ministri dhe stafi i tij flasin publikisht pasaktësi në lidhje me arsyet e bllokimit të këtij projekti kapital për kryeqytetin”, thotë Sejdiu. “Meqë, unë kam qenë personalisht i kyçur në këtë proces dhe jam i njoftuar me gjitha detajet, ftoj publikisht ministrin Hoti që të ballafaqohemi në debat televiziv, ai le të zgjedhë kanalin, emisionin dhe moderatorin. E vërteta është e thjeshtë dhe e qartë: ky Ministër me shefin e tij e kanë bllokuar tash nëntë muaj reformën e Trafikut Urban dhe kjo nuk mund të fshihet duke u prononcuar nga distanca”.