30,11,2024

Për herë të parë në Tiranë: Ja fotot e tmerrit të luftës në Kosovës

Must Read

KOSOVA-681x420

Ekspozita me 200 foto tronditëse, në Tiranë: Dhoma e torturave në stacionin e policisë serbe; Prill 1999, kamioni frigorifer me civilë shqiptarë të ngrirë, del në sipërfaqe të ujit në Danub; operacioni sekret i zhdukjes së provave të ekzistencës së një populli të tërë, duke djegur e zhdukur librat amzë të të lindurve, e të të vdekurve. Burgjet famëkeqe serbe ku ekzekutoheshin me qindra shqiptarë; rishfaqet më ’99-ën krimineli i famshëm serb, duke i prerë fytin një të riu. Puset e vdekjes në Kosovë, ku hidheshin me mijëra shqiptarë të vdekur, për të zhdukur gjurmët e krimit.

Nga Violeta Murati

Ka një arsye madhore për një komb pse dëshmitë dhe historia të jenë me të vërtetën. Sidomos kur krimet dhe terrori si në rastin e luftës së fundit në Kosovë, kërkojnë ende reflektimin, ndjeshmërinë mbi gjenocidin e tmerrshëm serb. Rasti është zhvendosja e ekspozitës së Fitnete Ramosaj nga Prishtina në Tiranë, ku vijnë për herë të parë pamje dhe dëshmi tronditëse në Muzeun Historik nga tmerri i luftës së fundit, në vitin 1998-1999. Mendimi i Ramosajt: Përmes fotove dhe dëshmisë të luftohet harresa dhe që proceset të mos ndërtohen mbi të dhëna jo të sakta. “Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, është ekspozita dëshmuese e mbështetur nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, e cila vjen dhe në Tiranë sonte në Muzeun Historik Kombëtar, pas ekspozimit në Kosovë. Për këtë ekspozitë, Ramosaj ka punuar gati dy vjet vetëm me përpunim të materialit, ndërsa më tepër se 16 vjet ajo është marrë me grumbullimin e materialeve për krime të luftës, por njëkohësisht ka shfrytëzuar edhe materiale nga arkiva e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, të Këshillit të Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, arkivin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, por edhe shtypin vendor edhe ndërkombëtar, qoftë gjatë luftës dhe pas saj.

Gjatë luftës së fundit të Kosovës të vitit 1998-1999, mijëra shqiptarë janë vrarë dhe janë masakruar, madje mbi një mijë ende kanë mbetur të zhdukur dhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku gjenden eshtrat e tyre.

Është emblematike fotografia e realizuar nga fotografi i agjencisë “Gamma”, francezi Georges Merillon (1957), në fshatin Nagavec të Rahovecit, më 28 janar 1990. Me këtë fotografi, më 1991, Merillon fitoi çmimin prestigjioz “World Press Photo”. Kjo është nga të parat fotografi nga Kosova, që tronditi botën: familja dhe të afërmit vajtojnë pranë trupit të Nesimi Elshanit, student nga fshati Nagavac, i vrarë në demonstratat e organizuara kundër ripushtimit serb, më 27 janar 1990, në dalje të fshatit Brestovc të Rahovecit.

Krimi shtetëror serb ishte në sistem, këtë e dëshmon Ramosaj me foton mbi gjurmët e Kampit të përqendrimit, burgu i Dubravës, në komunën e Istogut, ku prej datës 19-24 maj 1999, forcat okupuese serbe kryen masakrën më të tmerrshme mbi të burgosurit politikë shqiptarë dhe pengjet e luftës, me ç’rast i ekzekutuan në masë në mënyrat më të tmerrshme 184 prej tyre dhe i plagosën mbi 300 të tjerë. Të gjithë të burgosurit shqiptarë, një muaj para masakrës, me urdhër të ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Dragoljub Jankoviq, ishin transferuar nga burgjet e Serbisë në Burgun e Dubravës, në Kosovë. Fotografja shënon se dihej se në këtë masakër kanë marrë pjesë njësitet e policisë së Serbisë, të PJP-së, të JSO-së, të Ushtrisë Jugosllave (VJ), personali i burgut, të burgosurit ordinerë serbë etj. Kjo masakër është organizuar dhe është kryer me urdhër të instancave më të larta shtetërore të Serbisë. Prokuroria serbe për krime luftë në Beograd, më 15 tetor 2010, pranoi se Masakra është bërë me urdhër të ministrit të atëhershëm serb të Drejtësisë, Dragoljub Jankoviq, dhe zëvendëskryeministrit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq. Deri më tani, thotë Ramosaj, askush nuk është nxjerrë para drejtësisë për këtë krim të gjenocidit kundër njerëzimit.

Është një foto e ekspozuar, e quajtur Fotografia e Tmerrit, pamja është: mbetje eshtrash të 14 luftëtarëve të UÇK-së, të rënë në pritën e forcave ushtarake serbe, më 29 mars 1999, në afërsi të Shishmanit të Bokës (komuna e Gjakovës), derisa po hynin nga Shqipëria në Kosovë. Pas vrasjes, forcat serbe i grumbulluan dhe i dogjën trupat e tyre, bashkë me armatimin dhe municionin që e kishin me vete.

Një tjetër rast në foto: kriminelët serbë, i burgosuri Ilija Mishkoviq nga Çaçaku dhe Boban Bashqareviq, duke ekzekutuar të burgosurit shqiptarë që ishin të plagosur në burgun e Dubravës, 22 maj 1999.

Puset e vdekjes në Kosovë – gjatë luftës, veçanërisht në pranverën e vitit 1999, dhjetëra civilë shqiptarë, pasi i vranë e i masakruan, forcat serbe i hodhën në puse (bunarë) të ujit të pijshëm anembanë Kosovës, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit. Ky rast është ndjekur nga Josef Martinsen, koordinator i UNHCR-it dhe Ndihma e Kishës Norvegjeze në programin e emergjencave “Nxjerrja e trupave nga puset në Kosovë”, korrik 1999-mars 2000.

Është një fotografi ku njëra prej 22 kufomave të gjetura në dy puset e Kotlinës, në shtator të vitit 1999. Trupi kishte qëndruar pesë muaj e gjysmë në pus. Kjo foto vjen nga Josef Martinsen, udhëheqësi i ekipit ndërkombëtar për nxjerrjen e trupave nga këto puse. Ndërsa më 24 mars 1999, forcat okupuese ushtarake e policore serbe e sulmuan fshatin Kotlinë të komunës së Kaçanikut. Pasi e plaçkitën dhe e dogjën fshatin, i zunë rob banorët e fshatit, duke i ndarë në dy grupe, gratë e fëmijët në njërën anë dhe burrat në anën tjetër. Vetëm në këtë ditë pasi i torturuan tmerrësisht banorët, i masakruan 27 meshkuj të fshatit, tre prej tyre 16-vjeçarë. Pas torturimit të tmerrshëm, 22 prej tyre i hodhën në dy puse në afërsi të fshatit, të cilat më pas ushtria serbe i shkatërroi me eksploziv për të zhdukur gjurmët e krimit. Trupat e pajetë të 22 banorëve të Kotlinës, shumica prej tyre pa kokë dhe gjymtyrë të tjera, u nxorën nga puset në shtator të vitit 1999, nga ekipet ndërkombëtare të ICTY (Tribunalit ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi).

Foto e korrikut 1999, në Deçan: Trupi i pajetë i të riut S. F. pas nxjerrjes nga bunari. Në maj të vitit 1999, i plagosur ishte zënë nga policia serbe, të cilët pasi e kishin torturuar mizorisht e kishin masakruar me armë të ftohta e armë zjarri, duke e ngulfatur edhe me qese najloni e më pas e kishin hedhur në bunarin e ujit të pijshëm në oborrin e shtëpisë së R. Ç., duke ia hedhur përmbi dhe rreth njëqind blloqe betoni.

Tjetër foto me historinë: Kamioni frigorifer, i cili më 6 prill 1999, doli mbi sipërfaqen e ujit të Danubit, në Tekija, rreth 200 kilometra në lindje të Beogradit, në të cilin gjendeshin trupat e 86 civilëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin edhe trupat shtetërore serb në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit. Kamioni ishte pa targa, kishte vetëm një logo që tregonte se i përkiste thertores “PIK Progres Eksport” nga qyteti i Prizrenit. Sipas dëshmitarëve okularë, më 7 prill, 53 trupa si dhe tri koka të prera nga trupat e tyre, u dërguan me një kamion në qendrën stërvitore të policisë serbe në Batajnicë, ku i hodhën nëpër gropa dhe i dogjën, ndërkaq të tjerët përfunduan në varrezën masive në Petrovo Sello.

Serbia para dhe gjatë luftës në Kosovë, nisi ndërmarrjen me të pabesueshme për zhdukjen e provave të ekzistencës së një populli të tërë, duke djegur e zhdukur librat amzë të të lindurve dhe të të vdekurve, duke ua marrë dhe shkatërruar dokumentet e identifikimit në mënyrë të organizuar të kolonave shqiptare, që me dhunë dëboheshin jashtë kufijve të Kosovës, për t’ua bërë të pamundur kthimin, me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike të popullsisë. Kjo është tjetër dëshmi ekstreme e shpjeguar përmes disa fotove që tregojnë grumbuj letrash identifikimi, duke treguar se me spastrimet etnike nëpërmjet operacionit sekret “Patkoi”, në Kosovë duhej të mbeteshin 400-500 mijë shqiptarë dhe me kolonizimin e ri serb në Kosovë të krijohej artificialisht një përqindje proporcionale e popullatës, ku dihet thotë Ramosaj, ashtu siç është historia, se në asnjë periudhë numri i pakicës serbe e malazeze së bashku në Kosovë nuk e ka kaluar shifrën prej 200 mijë banorë.

Është një foto dëshmuese, një ushtar i NATO-s në dhomën e torturës në podrumin e stacionit policor serb në Prishtinë. Kjo tregon se pas përfundimit të luftës, ushtarët britanikë kanë gjetur në këtë dhomë mjete të llojllojshme të torturës, me të cilat dëshmohet se i përdornin forcat serbe kundër shqiptarëve, ndryshe u quajt: “Chamber of horrors” (Dhoma e tmerreve). Në to, kishte mjete të torturës për torturimin e shqiptarëve të zënë rob, të gjetur pas përfundimit të luftës në stacionin e policisë serbe në Prishtinë, në mesin e tyre është gjetur edhe një motosharrë.

E paçmueshme është liria, shënon Ramosaj kur prezanton një tjetër foto tronditëse: Masakra makabre e kryer nga forcat serbe, më 29 janar 1999, në Rogovë të Hasit, Gjakovë. Vetëm brenda tri ditësh, 27-29 janar 1999, në Bishtazhin, Goden e Rogovë të Hasit, forcat serbe i vranë e i masakruan 30 shqiptarë.

Të burgosur shqiptarë, të ekzekutuar nga forcat serbë në Kampin e Përqendrimit – në Burgun e Dubravës (19 -24 maj 1999)

Masakra e Reçakut, Shtimë 15 janar 1999. Për të kryer me sukses masakrën e tmerrshme në fshatin Reçak të Shtimës, Beogradi zyrtar i dërgoi në Kosovë, përveç të tjerëve edhe Vojsllav Sheshelin e Nikolla Shainoviqin (zëvendëskryeministër i Serbisë), të cilët kishin ardhur në Kosovë dy ditë para masakrës e ishin larguar dy ditë pas masakrës.

Forcat e ushtrisë serbo-jugosllave, njësitë speciale e të ISO-s e PJP-së, forcat e policisë serbe e paramilitare dhe serbë lokalë të mobilizuar nga Ferizaj, Shtërpca, Shtimja, Vitia, Lipjani etj., në orët e hershme të 15 janarit 1999, u futën nëpër shtëpitë e Reçakut, duke i terrorizuar banorët e fshatit. Pas torturave dhe mizorive të shumta forcat serbe i ekzekutuan në masë 45 banorë civilë të fshatit dhe i plagosën dhjetëra të tjerë. Shumicës së viktimave u ishin hequr pjesë të ndryshme të trupit, si: sytë, kokat, zemrat etj. Kishte pleq, plaka, të rinj, por edhe gra e fëmijë të dy gjinive. Rrugicat dhe kodrat mbi fshat ishin mbushur me kufoma. Tmerrin në Reçak e panë së afërmi edhe përfaqësuesit e OSBE-së. Një ditë pas masakrës, i gjetur përballë pamjeve të tmerrshme të masakrës, kryesuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së, në Kosovë, diplomati amerikan William Walker, i kumtoi botës se ajo që kishte ndodhur në Reçak ishte krim kundër njerëzimit.

Është një foto e tmerrshme, ku shfaqet krimineli serb Gorolub (Slavujko) Paunoviq (1969) punëtor i ish-PTT-së në Vushtrri, duke i prerë fytin një të riu shqiptar. Sipas dëshmitarëve, ky kriminel ishte pjesëmarrës edhe në krimin në familjen e Hamdi Ugjarit, më 1999.

Ekspozohet një faksimile e dokumentit “tepër sekret” të Ushtrisë Jugosllave, nr. 612-1, i datës 30.3.1999, me të cilin urdhërohet pushtetit civil në komunat Pejë, Istog, Klinë e Deçan të vihen nën urdhrat e “komandantit Suprem” për dëbimin e popullsisë shqiptare.

Një dëshmi fotografike tronditëse është ajo se si forcat serbe dëshmojnë se njësitet ushtarake dhe paraushtarake serbe gjatë kryerjes së krimeve, vrasjeve, masakrave, plojave, përdhunimeve, spastrimit etnik dhe zbatimit të urdhrave për “tokën e djegur” kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në shumë raste i kanë keqpërdorur edhe simbolet e UÇK-së. Gjatë luftës në Kosovë, afërsisht 20 mijë femra shqiptare, që nga mosha 7-vjeçare e tutje iu nënshtruan krimit të përdhunimit në mënyrë të organizuar nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe në mbarë territorin e Kosovës. Disa prej tyre, pas përdhunimit janë vrarë e masakruar, disa janë zhdukur pa gjurmë, disa vazhdojnë të jetojnë të vdekura për së gjalli. Përdhunimet shënojnë krimet më të tmerrshme të kryera gjatë luftës në Kosovë, njëherësh shënojnë krimet më të pandriçuara dhe më të pandëshkuara. Kjo vajzë e re pasi është përdhunuar nga forcat serbe, është masakruar dhe hedhur në lum në periferi të Gjakovës, viti 1999. Dhe fytyra e terrorit në fotot e Ramosajt ka shpresën mbi gjemba, kur një fëmijë shfaqet duke kaluar mbi tela për t’u ribashkuar me familjen e tij në një kamp refugjatësh në Kukës…Për ironi, asgjë si duket nuk është harruar, kjo histori për ironi vjen e ripërsëritur nga shekujt!

tmerri2tmerri3tmerri4tmerri5tmerri6tmerri8-768x576tmerri10tmerri12tmerri13-768x576tmerri14-768x576tmerri15tmerri16tmerri17-768x576

Komentet

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident komunikacioni rrugor me fatalitet në Kaçanik

Me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img