Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) bëjnë të ditur që së shpejti paga minimale në Kosovë, e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011, do të ndryshohet.
Sipas diskutimeve të deritashme, pritet që paga minimale të shënojë rritje.
Paga minimale e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011 është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, tregon për Radion Evropa e Lirë, ndryshimet që do të bëhen te paga minimale në Kosovë.
Ajo thotë se nuk do të ketë kategorizime të moshës te paga minimale, pasi që kjo siç thotë Hajzeraj, është diskriminuese.
“Ne besojmë që paga minimale do të rritet. Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit ekonomik dhe social, do ta diskutojmë këtë çështje, ku do të përfshihen të gjithë aktorët, që janë anëtarë të këtij mekanizimi dhe të shikohet se cila është mundësia që kjo pagë minimale të rritet ashtu siç e parashohin edhe parametrat e rritjes ekonomike në Kosovë”, thotë Hajzeraj.
Sipas Ligjit të punës, neni 57, paga minimale duhet të përcaktohet duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, përqindjen e shkallës së papunësisë, si dhe gjendjen e përgjithshme në tregun e punës dhe përcaktohet për periudhën njëvjeçare.
Zëvendësministrja Hajzeraj tregon se ende nuk ka një vendim se sa do të jetë paga minimale dhe se vlerën e kësaj page janë duke e diskutuar në Këshillin ekonomik social.
“Problemin kryesor e kemi me bizneset private, pasi që ata gjithmonë e kundërshtojnë rritjen e pagës minimale, duke konsideruar se ata dëmtohen më së shumti. Sa i përket institucioneve të Kosovës, ato janë të gatshme t’i zbatojnë të gjitha vendimet e këshillit”, shton Hajzeraj.
Në anën tjetër, nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Alush Sejdiu, thotë se kanë propozuar që paga minimale të jetë 220 euro.
“Ne, si BSPK, dhe përfaqësuesit e bizneseve kemi kërkuar që paga minimale të mos jetë e kategorizuar dhe të jetë pagë fikse që do të plotësonte kushtet minimale të punëtorëve”, thotë Sejdiu.
Çmimet e konsumit në Kosovë, viteve të fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme, derisa paga minimale që nga viti 2011 ka mbetur e njëjta.
Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë konsiderojnë se paga minimale e propozuar nga përfaqësuesit e punëtorëve, është mjaft e ulët për të plotësuar nevojat elementare të një personi.
Sejdi Mustafa, 40 vjeç, thotë se një pagë prej 220 eurosh është e pamjaftueshme, duke pasur parasysh nivelin e çmimeve që janë në Kosovë.
“Me 220 euro njeriu nuk mund t’i sigurojë gjërat elementare për jetë. Duhet ditur që në Kosovë një anëtar i familjes punon dhe mban tre apo katër të tjerë. Mendoj që do të duhej të ishte më e lartë”, thotë ai.
Ardiani, një qytetar tjetër, mendon se një pagë prej 220 eurosh i pamundëson një personi të furnizohet me gjërat elementare për të jetuar.
“Çmimet janë ato që duhet të diktojnë edhe pagën. Të gjithë e dimë që ka pasur ngritje të çmimeve derisa pagat nuk kanë ndryshuar. Me 220 euro vështirë se mund t’ia dalësh në Kosovë”, thotë Ardiani.
Ndryshe, gjatë gjashtë vjetëve të fundit Kosova, nuk ka shënuar rritje ekonomike më shumë se 3.8 për qind. Kjo rritje ekonomike ndonëse po vlerësohet të jetë e mirë, është e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që ka vendi.
Must Read