Caktohet masë e paraburgimit ndaj D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale vrasja në tentativë

Share

Ferizaj, 14 gusht 2026 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.A. dhe A.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprës penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Fitore Daci Krivanjeva, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit D.A. dhe A.A., me dashje dhe në bashkëveprim së bashku me një të mitur kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme ndërmjet të pandehurit A.A. dhe të dëmtuarit A.Sh., e cila kishte ndodhur rreth një viti më parë në Zvicër, me t`u takuar ditën kritike fillimisht e përcjellin me veturë, posa i dëmtuari futet në market dalin nga vetura, ku i pandehuri D.A., nxjerr nga gjepi një mjet të mprehtë – thikë dhe e godet njëherë në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa i pandehur A.A., e godet të dëmtuarin me grusht dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, kurse i mituri me një mjet të rrezikshëm – shkop druri e godet të njëjtin në pjesë të ndryshme të trupit, për çka i dëmtuari detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas edhe në QKUK në Prishtinë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij

Të ngjashme: