Miratohet Korniza Afatmesme Buxhetore 2027–2029

Share

Sot u mbajt mbledhja e radhës e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga Kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Zariqi. Në mbledhje morën pjesë Kryetari i Komunës, Agim Aliu, drejtorët e drejtorive komunale, si dhe anëtarët e Kuvendit Komunal.

Gjatë kësaj mbledhje u miratua Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027–2029. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryetari Agim Aliu theksoi rëndësinë e këtij dokumenti si një instrument strategjik që përcakton drejtimin zhvillimor të komunës për vitet në vijim.

“Korniza Afatmesme Buxhetore 2027-2029 është pasqyrimi i projekteve të Ferizajt për këto vite, janë pritjet e qytetarëve, është gjurma e tyre, që pavarësisht faktit të pamohueshëm e sfidues si asnjëherë më parë të shtrëngesave buxhetore nga çdo pore e trupit buxhetor të Ferizajt, megjithatë, ngre shtatin vizioni zhvillimor, puna e pandalshme, bindja e përkushtimi ynë për ta bërë Ferizajn e Gjeneratës së Re – për ta mbajtur lartë e referencë modelin e punës që ndërtuam për gjithë këto vite, me dashuri për qytetin, me sinqeritet për secilin qytetarë. Sot, ky dokument do të marr edhe firmën e vulën tuaj, kuvendarë të zgjedhur të Ferizajt, për t’i thënë PO vazhdimësisë së punëve që shquajnë Ferizajn nga qendrat tjera, për të mos ndalur hapin pavarësisht pengesave, për atë që presin ferizajasit, për të cilën investuan besim, për t’i shpërblyer ne me punë e përkushtim për Ferizajn. Dhjetëra projektet që përbëjnë këtë kornizë investimore, janë nistoret e zhvillimit të Ferizajt, duke fuqizuar akoma më shumë secilin segment që përbën mozaikun e plotë të një qyteti që njeh veç zhvillim, transformim e sinonim ka punën. Duke çmuar secilin mendim të qytetarëve, propozimet që jetësojnë këtë dokument e reflektojnë qartësisht e tërësisht, nevojat që ferizajasit kanë për projekte zhvillimi, që jo vetëm sanojnë e tejkalojnë një gjendje, por i japin hove me ritme të pandalshme zhvillimit të gjithë Komunës sonë. Edhe në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029 pasqyrohet sheshazi kjo qasje transformuese, ky vizion zhvillimor”, tha Aliu.

Kryetari Aliu tutje është shprehur se në planifikimin buxhetor të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2027-2029 për vitin 2027 në kategorinë e investimeve kapitale janë buxhetuar 15,400,000.00€ , në mallra e shërbime 12,183,659.00€, subvencione 2,550,000.00€ e pjesa tjetër e ndarë mes pagave dhe shpenzimeve komunale që përbëjnë tërësinë buxhetore prej 56,102,329.00€ për vitin 2027.

“E ky planifikim buxhetor, përmban në vete një mori projektesh të fushave të ndryshme, që i japin fizionomi të re zhvillimi Ferizajt nisur me projektet e gjelbërta siç janë ato të masiveve të gjelbërta, projekti për zgjerimin dhe rregullimin e Parkut Liria ku ecuria e punëve po prek çdo ditë stade të reja zhvillimi, vepra që po shijohen çdo ditë nga qytetarët. Po kështu edhe Parku në Kodrën e Sherretëve, një territor krejt i transformuar e rivitalizuar që po rritet e zhvillohet, duke njohur ecuria e këtij investimi – stade të reja zhvillimi. Për të gjelbërtën janë dëshmitë e çdo ditshme ato që flasin zëshëm, për përpjekjen e përkushtimin që Ferizajt në gjithë trupin e tij t’i japim hapësirat që meriton, ambiente të mirëmbajtura, parqe të reja si Parku tek ish lokacioni i Kompanisë “Pastërtia” dhe në ish lokacionin e “Stacionit të Autobusëve”, të cilat do t’i tejkalojnë vështirësitë buxhetore për tu jetësuar së shpejti e që kthejnë qendrën e Ferizajt në një hartë të gjelbërt me të shumta zgjedhje për rekreacion e çlodhje për secilin ferizajas. Në këtë mes vlen të përmenden edhe investimet që kryem në rivitalizimin e Parkut në Neredime e rregullimi i Parkut në Varosh, pa lënë anash edhe investimet që veçse kanë filluar për infrastrukturën turistike edhe në Jezerc, Pleshinë, Burrnik e zona të tjera në gjithë Ferizajn”, tha Aliu.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, në fjalën e tij ka përmendur edhe infrastukturën. Ai ka thënë se do të vijojnë me vepra publike që i japin kahe të reja zhvillimi të Ferizajt.

“Projekti për ndërtimin e Unazës së Brendshme të Qytetit, është vizioni ynë që do t’i mbetet dekadave që vijnë pas nesh, si një dëshmi sesi me guxim e vizion, shtati i qytetit ngritët e zhvillohet me ritmin e kërkesën e kohës. Në këtë kuadër, planifikimet tona përfshijnë edhe investimin në rrugë qendrore të qytetit, përmes zgjerimit, rikonstruktimit si në rrugët “12 Qershori”, “Cen Dugolli”, “Bifurkacioni”, rruga që lidh kampusin e shkollave të mesme e rrugët në drejtim të zonave me potencial turistik të Ferizajt, si në Grykën e Neredimes, rruga “Naim Beka” punimet e së cilës veçse kanë avancuar e të tjera.

Në planin e infrastrukturës synojmë të mbyllim ciklin e investimeve bazë në infrastrukturën rrugore, duke përfunduar dhjetëra projekte asfaltimi, rregullime të trotuareve në fshatra, në qytet, investime në infrastrukturën nëntokësore si kanalizime ujësjellës, për t’i hapur një kaptinë të re zhvillimi këtyre investimeve, në mirëmbajtjen e zhvillimin e mëtejmë të tyre.

Në pikëpamje të shtimit të kapaciteteve në menaxhimin e ujërave të zeza si dhe për rritjen e furnizimit me ujin e pijes do të investojmë në ndërtimin e rezervarit të ujit në Nikadin, kolektorët në fshatrat Pojatë e Fshat i Vjetër”, është shprehur Aliu.

Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, është ndalur edhe tek investimet ne fushën e shëndetësisë, por edhe në fushën e arsimit.

“Në pikëpamje të investimeve në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, vazhdon puna në ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, po kështu edhe në objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Koshare, për të shtrirë këtë investim në këtë fushë edhe përmes ndërtimit të Qendre të re të Mjekësisë Familjare në qytet. Ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare nr.12 në qytet, rikonstruktimin e QMF-1 në Qendrën Emergjente dhe Specialistike, pa u kufizuar edhe në furnizime me pajisje e aparatura me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore si blerja e 3 veturave frigoriferë për nevojat e kujdesit paliativ, blerja e 10 oksigjen koncentrator etj. Në planin arsimor, do të vijoj puna jonë për ndërtimin e infrastrukturës shkollore, si rikonstruktimi i hapësirave të shkollave të mesme në formë kampusi – një organizim e menaxhim ky novativ në arsimin vendor, po kështu ndërtimi i objekteve të reja shkollore si ndërtimi i shkollës së mesme në Ferizaj, objektet e reja shkollore në fshatra si në Manastirc, Varosh, Tërrn si dhe investimet në ndërtimin e anekseve shkollore. Kësaj i shtojmë edhe planifikimin e investimit për herë të parë në vend, ku të gjitha shkollat e Ferizajt do të jenë të pajisura me tabela të mençura (Smart Board) e po kështu do të bëjmë edhe rregullimin, furnizimin dhe digjitalizimin e kabineteve profesionale shkollore si dhe bibliotekave shkollore.

Për të vegjlit, kemi planifikuar ndërtimin e një çerdhe të re në qytet, çerdhe të reja në fshatra si në Grykën e Neredimes, Pleshinë, Talinoc i Muhaxherëve, po kështu duke ri konstruktuar edhe objektet ekzistuese shkollore për t’i shndërruar në çerdhe si në Lloshkobare e Komogllavë.

Tutje Aliu, është ndalur edhe tek fusha e kulturës, rinisë dhe sportit, bujqësia si dhe zhvillimi ekonomik.

Pas fjalimit të Kryetarit Aliu, pasuan diskutime nga anëtarët e Kuvendit, të cilët shprehën qëndrime pro dhe kundër. Në përfundim të debatit, Korniza Afatmesme Buxhetore 2027–2029 u miratua me shumicë votash.

Në këtë mbledhje, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Alberton Sahiti, paraqiti propozim-vendimin për miratimin e Planit Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për Rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt.

Gjithashtu, Kuvendi shqyrtoi edhe propozim-vendimi për plotësim- ndryshimin e vendimit nr.76 te datës 31.07.2025 me ane të të cilit janë aprovuar memorandumi i bashkëpunimit ne mes OJQ-së Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia ime” në Ferizaj.

Në fund të kësaj mbledhje u diskutua edhe propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pjesës së ngastrës kadastrale 571-0 ZK Nekodim.

Të ngjashme: