Vandalizimi i pronës publike në Ferizaj – Dëmtohen drunjtë dekorativë në rrugën “Ahmet Kaçiku”

Share

Një akt i papërgjegjshëm dhe i papranueshëm ndaj pronës publike është regjistruar në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, ku një qytetar është filmuar duke thyer dhe shkulur drunjtë dekorativë të mbjellë përgjatë kësaj rruge.

Pamjet e siguruara dëshmojnë një veprim vandal që jo vetëm dëmton investimet publike, por cenon edhe përpjekjet për ta bërë qytetin më të gjelbër, më të bukur dhe më të jetueshëm për të gjithë qytetarët.

Lidhur me këtë rast, organet kompetente të sigurisë janë njoftuar dhe pritet që të zhvillohen hetimet për identifikimin dhe procedimin ligjor të autorit të këtij akti të shëmtuar dhe kriminal ndaj pronës publike.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi dhe të kujdesen për hapësirat e përbashkëta, pasi ato janë pasuri e secilit prej nesh. Çdo pemë e mbjellë, çdo park dhe çdo investim publik realizohet për të mirën e komunitetit dhe meriton të ruhet.

Njëkohësisht, falënderohen qytetarët që bashkëpunojnë me institucionet dhe kontribuojnë në raportimin e rasteve të tilla. Çdo informacion apo denoncim ndihmon në identifikimin e keqbërësve dhe në vendosjen e tyre përballë përgjegjësisë ligjore.

Prona publike është pasuria jonë e përbashkët. Ta mbrojmë sot, që ta gëzojmë nesër.

Të ngjashme: