Një tjetër sukses i madh për kulturën ferizajase. Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” ka shkëlqyer në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, duke rrëmbyer vendin e parë në edicionin e 24-të të këtij festivali prestigjioz, të mbajtur në Klinë.
Mes 33 grupeve artistike nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, “Kastriotët” u veçuan për interpretimin e nivelit të lartë, profesionalizmin artistik dhe ruajtjen autentike të traditës sonë kombëtare, duke merituar vlerësimin më të lartë të jurisë.
Ky triumf është dëshmi e punës së palodhshme, talentit dhe përkushtimit të anëtarëve dhe udhëheqësve artistikë të ansamblit, të cilët vazhdojnë ta përfaqësojnë me dinjitet Ferizajn në skenat kombëtare e ndërkombëtare.
Urime Ansamblit “Kastriotët” për këtë arritje të jashtëzakonshme! Ky sukses është krenari për gjithë qytetin e Ferizajt dhe një motiv shtesë për vazhdimin e misionit në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore.

