Varshavë, Poloni – Arti kosovar ka marrë vëmendje ndërkombëtare përmes një projekti të rëndësishëm artistik të realizuar në kryeqytetin polak, në kuadër të rezidencës artistike “Artistic Transformation of Academic Spaces”.
Gjatë javës së kaluar, artistja ferizajase dhe dekanja e Fakultetit të Arteve të Aplikuara në UShAF, Lebibe Topalli Shabani, zhvilloi një bashkëpunim ndërinstitucional me University of Technology and Applied Arts in Warsaw (ATA), duke prezantuar vlerat dhe potencialin e artit bashkëkohor nga Kosova.
Në kuadër të kësaj rezidence artistike, u organizua një ligjëratë publike për studentët dhe stafin akademik, ku u trajtua ndikimi i muraleve në transformimin urban të qytetit të Ferizajt, me theks të veçantë në festivalin Mural Fest Kosova.
Ky prezantim u shoqërua edhe me një punëtori praktike, ku studentët patën mundësinë të angazhohen drejtpërdrejt në procesin krijues.
Rezultati i këtij bashkëpunimi artistik u konkretizua me realizimin e dy muraleve:një mural bashkëpunues, i krijuar së bashku me studentë nga të dy institucionet, ku nga UShAF morën pjesë studentet Elba Gashi dhe Ensara Bajraktari;si dhe një mural autorial, i realizuar nga vetë artistja Lebibe Topalli Shabani.
Këto vepra artistike u mirëpritën nga komuniteti akademik i ATA-s, përfshirë edhe rektorin Piotr Wilczek, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin dhe kreativitetin e shfaqur.Gjatë zhvillimit të projektit, rezidenca artistike u nderua edhe me vizitën e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, i cili shprehu mbështetjen për iniciativa të tilla që promovojnë kulturën dhe artin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Ky projekt u realizua me përkrahjen e Culture and Creativity for the Western Balkans dhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet UShAF dhe ATA, duke dëshmuar se arti mbetet një urë e fuqishme lidhëse mes kulturave dhe institucioneve.
Ky prezantim në Varshavë përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e artit kosovar dhe në fuqizimin e bashkëpunimeve akademike dhe kulturore në Evropë.







