KQZ të gatshëm për një cikël të ri zgjedhor në Kosovë

Share

Nuk ka kaluar as një muaj nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, dhe tashmë ka mundësi që të zhvillohen zgjedhje të tjera të parakohshme në të ardhmen e afërt.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili përfundoi vitin 2025 duke organizuar dy procese zgjedhore parlamentare më 9 shkurt dhe 28 dhjetor, si dhe dy zgjedhje lokale më 12 tetor dhe raundin e dytë për kryetarë komunash më 9 nëntor, do të duhet të përgatitet përsëri për të mbajtur një cikël të ri zgjedhor.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë për EO se nuk komentojnë zhvillimet politike dhe se qëndrimi i KQZ-së mbetet i njëjtë, si në rastet tjera.

Sipas tij, organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një kohe të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e tij, megjithkëtë, ky institucion do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

“Organizimi edhe i një procesi të ri dhe të parakohshëm zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, vetëm brenda një kohe të shkurtër pas përmbylljes së zgjedhjeve, gjithashtu të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij. Megjithkëtë, KQZ, si institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve, do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kurdo që kjo do të kërkohet”, tha Elezi.

Elezi tha se nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor KQZ do të diskutojë për çështjet e buxhetit.

“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka diskutuar lidhur me këto çështje, por sigurisht se nëse do të ketë pra një proces të ri zgjedhor atëherë KQZ fillimisht në forumet e veta do të diskutojë për çështjet e buxhetit dhe pastaj do të bëjë edhe planifikimin e nevojshëm i cili si zakonisht i dërgohet për miratim Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që KQZ-ja të bëjë shkurtimin e afateve kohore për organizimin e tyre.

“Nëse pra do të kemi një proces të parakohshëm zgjedhor, pra ai do të organizohej në afate të shkurtra kohore, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë shkurtimin e afateve kohore të aktiviteteve të ndryshme dhe t’i përshtasë ato me rrethanat, pra me ditët që ka në dispozicion për organizimin e këtij procesi zgjedhor”, tha ai.

Më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekretin për të shpërndarë legjislaturën e 10-të pasi deri më 5 mars dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës.

Osmani mori këtë vendim duke u mbështetur në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se “zgjedhja e Presidentit të Repubikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.

Aktualisht, çështja e dekretit të nxjerrë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, nga ku është kërkuar vendosja e masës pezulluese, deri në shqyrtimin përfundimtar.

Të ngjashme: