Cakolli: Mandati i Osmanit skadon më 5 prill, skenari kushtetues pas kësaj date

Share

Situata institucionale në Kosovë pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe skadimit të mandatit të Presidentes më 5 prill, pritet të varet edhe nga vendimet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me këtë çështje, Eugen Cakolli nga KDI ka dhënë sqarime në një prononcim për Telegrafin, se çfarë do të ndodh pas 5 prillit dhe kush mund të marrë postin e ushtruesit të detyrës në rast se nuk ka president të ri.

Cakolli thotë se aktualisht pritet një vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat për masë të përkohshme.

“Përveçse do të duhej që të pritet në fakt ndonjë verdikt potencial i Gjykatës Kushtetuese në raport me kërkesat për masë të përkohshme, bazuar në deklarimet publike tashmë janë dy lëndë që presin trajtim nga gjykata. Megjithatë, ekziston edhe një precedent, pasi që gjykata në rastin e njohur si ‘Pacolli’ ka përcaktuar se nuk ka vakum institucional, duke theksuar se kryetari i Kuvendit i merr kompetencat e presidentit për një periudhë të kufizuar”, u shpreh Cakolli.

Sipas tij, nëse nuk ka vendim tjetër nga gjykata, pas 5 prillit vendi mund të ketë ushtrues të detyrës së presidentit për një periudhë deri në gjashtë muaj.

“Kjo nënkupton që pas datës 5 prill, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos ndryshe ose nuk vendos masë të përkohshme, çështja mund të vazhdojë sipas dekretit të presidentes. Në atë rast, vendi menjëherë do ta kishte zonjën Haxhiu si ushtruese të detyrës së presidentit, e cila këtë mandat mund ta mbajë maksimalisht për gjashtë muaj, që i bie deri më 6 tetor të këtij viti”,

Ai thekson se gjatë kësaj periudhe duhet të përmbyllet i gjithë cikli institucional.

“Brenda këtij afati kushtetues do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e reja, të zgjidhej Kuvendi, të konstituohej ai, të votohej qeveria dhe më pas të zgjidhej edhe presidenti i ri i vendit. Vendi mund të hyjë në krizë kushtetuese vetëm në rast se as pas skadimit të afati 6 mujor të ushtruesit të detyrës së presidentit nuk arrihet konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri”, u shpreh ai.

Cakolli shton se, në aspektin ligjor, nuk ka pengesë që kryetarja e Kuvendit të marrë rolin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

“Në situatën e tanishme kjo do të varet nga masa eventuale që do të marr Gjykata Kushtetuese. Në kuptimin ligjor nuk ka ndonjë pengesë që këtë mandat ta marrë zonja Haxhiu, pra të marrë detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit”, theksoi Cakolli.

Ai ka shtuar gjithashtu se kryetari i Kuvendit mbetet figura kyçe për organizimin e procedurave të mëtejshme.

“Edhe ashtu, kryetari i Kuvendit vijon të jetë pozita e vetme brenda Kuvendit, i cili ka mandat. Për çështjen e mbledhjes së seancës konstituive pas zgjedhjeve, kryetari i Kuvendit ka përgjegjësi ligjore që i njihet mandati kushtetues që e ka”, u shpreh Cakolli.

Të ngjashme: