Një incident i rrezikshëm ka ndodhur në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku një i mitur dyshohet se ka penguar zyrtarin policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, duke e tërhequr zvarrë me motoçikletë gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur më 8 mars 2026 rreth orës 13:30, pasi policia kishte pranuar informatë se pranë depos së pijeve “VDD Burimi” një grup të rinjsh me motoçikleta ishin mbledhur për të zhvilluar gara.
Patrulla e trafikut rajonal kishte intervenuar me një veturë civile dhe, sapo ishte afruar në vendngjarje, kishte aktivizuar dritat rotative dhe kishte dhënë urdhër që ngasësit e motoçikletave të ndalen.
Megjithatë, të rinjtë nuk e kanë zbatuar urdhrin policor dhe janë larguar me motoçikleta. Policia ka arritur ta ndalë njërin nga ta, të miturin R.A., i cili gjatë tentativës për të ikur me motoçikletë dyshohet se ka tërhequr zvarrë një zyrtar policor. Gjatë përpjekjes për t’u larguar, ai ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar bashkë me motoçikletën.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ndërsa motoçikleta është sekuestruar si provë materiale.
Zyrtari policor i lënduar ka marrë trajtim mjekësor nga shërbimi emergjent në vendngjarje, pasi ka pësuar gërvishtje në krahun dhe parakrahun e majtë.
Njësia e hetimeve rajonale është njoftuar për rastin dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. I mituri është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe prindit të tij, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar për të mitur, është ndaluar për 24 orë, transmeto Gazeta Sinjal.

