Vetëm brenda 11 muajve të vitit 2025 mbi 13 mijë shoferëve, ju është marrë patentë shoferi, ndërsa mijëra të tjerë janë ndëshkuar me pikë negative për shkelje të rregullave të trafikut rrugor në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës për Kosova Press, ndërsa të dhënat tregojnë një rritje të numrit të rasteve të masave ndëshkuese ndaj vozitësve krahasuar me vitin e kaluar.
“Referuar kërkesës suaj të mëposhtme ju njoftojmë se gjatë periudhës kohore Janar-Nëntor 2025 u është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik 13,446 shoferëve, si dhe janë shqiptuar gjithsej 55,809 tiketa të parapara me pikë negative. Ndërsa gjatë vitit 2024, u është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik 11,933 shoferëve, si dhe janë shqiptuar gjithsej 50,887 tiketa të parapara me pikë negative”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, arsyet për konfiskimin e patentë shoferit përfshijnë: tejkalimin e shpejtësisë mbi 50 për qind të shpejtësisë së lejuar, mosrespektimi i semaforit, kalimi në semaforin e kuq dhe tejkalim në vijën e plotë.


