Mbrojtësi ferizajas Leardi Sadriu do të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet më të rëndësishme të nëntorit, që mund të përcaktojnë fatin e “Dardanëve” në garat kualifikuese.
Kosova do të përballet fillimisht me Slloveninë më 15 nëntor, ndërsa vetëm tre ditë më vonë, më 18 nëntor, do të përballet me Zvicrën, në një sfidë që pritet të jetë vendimtare për renditjen në grup.
Sadriu, i cili më parë ka mbajtur fanellën e Ferizajt, debutoi me Kosovën pikërisht në përballjen kundër Sllovenisë, dhe tani ka mundësinë të rikthehet për të kontribuar sërish ndaj të njëjtit kundërshtar.
Pas një sezoni të suksesshëm, mbrojtësi 22-vjeçar është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit rumun Argeș Pitești, skuadër me traditë në futbollin rumun. Ai iu bashkua klubit gjatë këtij sezoni dhe shumë shpejt u shndërrua në një titullar të padiskutueshëm, falë paraqitjeve të qëndrueshme dhe lidershipit në mbrojtje.
Në kampionatin rumun, Sadriu ka regjistruar 16 paraqitje deri më tani, duke arritur të shënojë edhe 2 gola, një arritje e rrallë për një mbrojtës qendror. Forma e tij e lartë ka tërhequr vëmendjen e stafit teknik të Kombëtares, që e ka përfshirë sërish në listën përfaqësuese.



