Komuna e Ferizajt ka vazhduar mbështetjen e bujqve dhe fermerëve ferizajas, duke shpërndarë sot makineri dhe pajisje bujqësore për 178 përfitues, nga gjithsej 281 fermerë që do të mbështeten në këtë fazë të projektit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në njoftimin e tij theksoi se kjo është një prej mbështetjeve më të mëdha të dhëna ndonjëherë për sektorin bujqësor në qytet. Vetëm gjatë kësaj qeverisjeje, bujqësia në Ferizaj është përkrahur me mbi 10 milionë euro përmes subvencioneve dhe skemave mbështetëse të Drejtorisë së Bujqësisë.
“Kësaj skeme i shtuam edhe 178 bujq e fermerë të cilëve iu shpërndanë mekanizmi e pajisjet bujqësore prej 281 përfituesve gjithsej, investim ky që sjell lehtësi pune, zgjerim kapacitetesh, cilësi produkti e treg më të pasur. Urime bujqve e fermerëve ferizajas!” – ka deklaruar Aliu.
Ky investim, sipas Komunës, synon të lehtësojë punën e fermerëve, të rrisë kapacitetet prodhuese dhe të sigurojë cilësi më të lartë të produkteve bujqësore, duke kontribuar kështu në zhvillimin e tregut lokal dhe rajonal.