Një tjetër histori suksesi nga Ferizaj po frymëzon të rinjtë dhe sportdashësit. Noaura Llabjani, vajza e re ferizajase që nisi pasionin për futbollin qysh në moshën 8-vjeçare, tashmë ka arritur një moment kulmor në karrierën e saj të hershme: është përzgjedhur futbollistja e vetme nga Klubi i Futbollit “Ferizaj” për të përfaqësuar Kosovën në turneun zhvillimor të UEFA-së, që do të mbahet në Shqipëri.
Në këtë kompeticion ndërkombëtar, Kosova – Vajzat U15 do të përballen me Moldavinë, Estoninë dhe Shqipërinë, ndërsa Noaura hyn në fushë me ëndrra të mëdha për një kontratë ndërkombëtare dhe për ta ngritur lart flamurin e Kosovës.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e priti Noaurën në zyrën e tij për ta përgëzuar për këtë sukses të jashtëzakonshëm, duke e cilësuar atë si shembull për të rinjtë e qytetit:
E urova dhe i ofrova gjithë mbështetjen tonë në rrugëtimin e saj sportiv. Ky është një hap i madh jo vetëm për Noaurën, por për të gjithë Ferizajn dhe sportin e vajzave në Kosovë.”
Ky moment shënon një hap të rëndësishëm për afirmimin e futbollit të femrave në vend, ku gjithnjë e më shumë vajza po guxojnë të ndjekin pasionin e tyre për sportin më të popullarizuar në botë.