Ferizaj, 8 gusht 2025 – Me dhembje e pikëllim është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të Halil Osmanit, ish-Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Halil Osmani, i njohur për përkushtimin e tij të pashoq ndaj shërbimit publik dhe qytetarëve, la gjurmë të pashlyeshme si në fushën e sigurisë dhe emergjencave, ashtu edhe në rrugëtimin historik të çlirimit të vendit. Ai ishte shembull i guximit, profesionalizmit dhe humanizmit, duke kontribuar me përkushtim si në uniformën e zjarrfikësit, ashtu edhe në radhët e UÇK-së.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka dërguar një telegram ngushëllimi:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Me dhembje e pikëllim, mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëqytetarit tonë Halil Osmani – Zhitia.
Halil Osmani, me punën e tij, la gjurmë të pashlyeshme për Ferizajn e kujtesën e ferizajasve, duke qenë shembull i përkushtimit dhe shërbimit për qytetarët, gjersa trashëgimia e tij e jashtëzakonshme spikat me kontributin e veprën e tij lavdiplote për lirinë e Kosovës, duke qenë luftëtar i lirisë – veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ngushëllime të sinqerta familjes Osmani, bashkëluftëtarëve, kolegëve të profesionit, miqve e të njohurve të të ndjerit! Shpirti i tij u prehtë në paqe!