Ferizaj, 17 Korrik 2025 – Me fillimin e sezonës verore dhe rikthimin e mërgimtarëve në vendlindje, Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj z. Ismet Dervishi, ka bërë të ditur një rritje të ndjeshme të intensitetit të komunikacionit rrugor, përfshirë edhe sfidat që sjellin dasmat, ahengjet, bizneset e ndryshme dhe shtimi i numrit të motoçikletave dhe këmbësorëve në rrugët e qytetit.
Në një intervistë për ferizajpress, komandanti Dervishi theksoi se të gjitha këto janë të përfshira në planet operative të sezonës verore, ku prioritet ka siguria në komunikacionin rrugor.
“Kemi rritur mbi 100% numrin e njësive të patrullimit për komunikacionin. Kemi shtuar dy njësi të biçiklistëve dhe kemi futur në funksion një njësi të motoçikletave, që më parë nuk ekzistonin,” deklaroi Dervishi.
Sipas të dhënave të Policisë së Ferizajt, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 është shënuar një rënie prej 9.9% të aksidenteve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar – nga 354 aksidente, në 319. Po ashtu, është evidentuar një rritje prej 5.4% në numrin e gjobave për kundërvajtje në trafik nga 8,073 në 8,509 gjoba.
Ndërkohë për parkimet ilegale është shënuar një rritje prej 74% të gjobave – nga 1,751 në 3,046, çka konsiderohet sukses i madh në drejtim të lirimit të trotuareve për këmbësorë.
“Kemi konfiskuar 97 motoçikleta vetëm në gjashtëmujorin e parë, si pjesë e planit për kontrollin e këtyre mjeteve që shpesh përbëjnë rrezik serioz për sigurinë publike,” shtoi ai.
Komandanti Dervishi foli edhe për rrugët “Zenun Beqa” dhe “Gëzim Sahiti”, për të cilat janë pranuar shumë ankesa nga qytetarët për shkak të parkimeve të paligjshme.
“Në rrugën ‘Zenun Beqa’ kemi dhënë 46 gjoba dhe në ‘Gëzim Sahiti’ 37 gjoba për parkime ilegale vetëm në gjashtëmujorin e parë. Këto rrugë janë njëkahëshe dhe të frekuentuara, ndaj patrullat tona janë të pranishme rregullisht,” theksoi Dervishi.
Ai sqaroi se parkimi sipas rregullave të trafikut rrugor në rrugë njëkahëshe është i lejuar vetëm në skajin e djathtë, duke lënë hapësirë mbi 3 metra për qarkullim. Por nëse automjetet pengojnë lëvizjen e këmbësorëve ose bllokojnë hyrjet e shtëpive, policia do të veproj menjëherë. Në vazhdim ai potencoi “Ne do të jemi zero tolerantë ndaj parkimeve ilegale sidomos në trotuare, ku fokusi ynë është lirimi i trotuarëve dhe i hapësirave të qarkullimit për këmbësorë, për t’u ofruar atyre siguri më të madhe”.
Në fund të intervistës, komandanti Dervishi bëri të ditur se është finalizuar një marrëveshje trepalëshe mes Policisë së Kosovës, Kuvendit Komunal të Ferizajt dhe Postës së Kosovës e cila do të mundësojë dërgimin e gjobave përmes postës tek qytetarët që nuk i respektojnë rregullat e trafikut.
“Kur një automjet është parkuar në mënyrë ilegale dhe drejtuesi nuk gjendet në vendngjarje, policia vendos një fletëthirrje në xham të automjetit. Nëse qytetari nuk paraqitet në stacionin policor brenda afatit të caktuar, atëherë përmes sistemit tonë të të dhënave bëhet verifikimi i pronarit të automjetit përmes targave dhe gjoba i dërgohet atij në adresën e regjistruar,” tha komandanti.
Ai shtoi se kjo procedurë lehtëson punën e policisë dhe e bën procesin më efikas, duke shmangur vonesat administrative.
“Fillimisht kjo praktikë do të nis të zbatohet nga njësitë rajonale të trafikut dhe më pas do të përfshijë edhe patrullat e stacionit tonë. Me këtë mënyrë, synojmë të rrisim efektivitetin dhe transparencën në zbatimin e gjobave, si dhe të forcojmë disiplinën në trafik,” u shpreh komandanti Dervishi. /Për FerizajPress Aurorë Zymberi