Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga Kryesuesi Xhavit Zariqi. Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Komunës, Agim Aliu, drejtorët e drejtorive komunale si dhe anëtarët e Kuvendit Komunal.
Gjatë kësaj mbledhjeje është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026–2028. Buxheti i planifikuar për vitin 2026, sipas kësaj kornize, është 53,068,494.00 euro, nga të cilat 13,230,000.00 euro janë të dedikuara për investime kapitale.
Kryetari Aliu, në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi rëndësinë e këtij dokumenti si një instrument strategjik që përcakton drejtimin zhvillimor të komunës për vitet në vijim. Ai u shpreh se Korniza Afatmesme Buxhetore është rezultat i konsultimeve dhe dëgjesave publike, duke reflektuar drejtpërdrejt nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Ferizajt.
“Dokumenti që sot ndodhet para jush, për të marr bekimin e vulën tuaj, është produkt i debatit publik, i zërit të qytetarëve artikuluar në konsultën e dëgjesat publike që kemi organizuar, është vazhdimësia e vizionit për të pandalshmin hap të zhvillimit të Ferizajt, për vitet që e presin.
Dhjetëra projektet që përbëjnë këtë kornizë investimore, janë nistoret e zhvillimit të Ferizajt, duke i dhënë kahje të reja, duke hapur kapituj të ri ecjeje përpara.
Duke çmuar e vlerësuar secilin mendim të qytetarëve, propozimet që ngërthehen në këtë dokument, reflektojnë qartësisht e tërësisht, nevojat që ferizajasit kanë për projekte zhvillimi, që jo vetëm sanojnë një gjendje përkohësisht, por i japin hove me ritme të pandalshme, zhvillimit të gjithë Komunës sonë”, tha Kryetari Aliu.
Ai theksoi se përmes kësaj kornize, qeverisja lokale po vazhdon rrugën e nisur në dhjetor të vitit 2017 për ndërtimin e Ferizajt që duam, duke përfshirë projekte madhore infrastrukturore, mjedisore, sociale dhe kulturore.
“Edhe në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026-2028 pasqyrohet sheshazi kjo qasje transformuese, ky vizion zhvillimor, me projekte të rëndësisë së lartë publike, më zërin e qytetarëve formuluar si emërtime projektesh, që vijojnë pandalshëm, rrugën që nisëm në dhjetorin e 2017-tës për Ferizajn që duam.
Ferizaj nuk ndalet, ferizajasit duan zhvillim.
Ne kemi rritur standardin e punëve publike në gjithë Republikën, kemi dhënë dëshmitë se asgjë nuk është e pamundur, me besimin e qytetarëve, me mirëqeverisjen. Atë e thotë qartë çdo zë i ferizajasve e përtej qytetit tonë. Në planifikimin buxhetor të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2026-2028 për vitin 2025 në kategorinë e investimeve kapitale janë buxhetuar 12,328,834.32€ kurse për vitin pasues 2026, janë planifikuar 13,230,000.00€, gjersa në vlerësimet e hershme buxhtore për vitet 2027 dhe 2028 janë planifikuar 14,859,000.00€ përkatësisht 16,615,000.00€ në kategorinë e investimeve kapitale.
Ferizaj çdo ditë po transformon fizionominë e tij me vepra publike, me ide të vëna në zbatim, që po pasurojnë vlerat e Ferizajt, po i japin Ferizajt atë që meritonte prej dekadash. Edhe në këtë përmbledhje të planifikimit të investimeve tona për vitet që na presin, reflektohet kjo bindje, këto ide, këto nisma e projekte që vazhdojnë rrugën tonë të punës për transformimin e Ferizajt.
Projektet e gjelbëra, janë boshti i platformës sonë qeverisëse mbi të cilën morëm besimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve. Ne po vijojmë angazhimet, punën e çdoditshme, për t’i dhënë Ferizajt dy masive të reja të gjelbëra, Parkun në Kodrën e Sherretëve – ku për pak muaj, përurojmë transformimin e rivitalizimin e tërësishëm të gjithë zonës, me ballkonin panoramik unik në Kosovë e standardin e ri që po vendosim me punën për rregullimin e parqeve.
Po kështu, Parku i Lirisë, po zgjeron trupin e tij të gjelbër, me shtigjet e reja, me hapësirat pushuese e rekreative, me amfiteatrin që po ndërtojmë, investime këto që shumëfishojnë vlerën e përdorimin e parkut nga ferizajasit e të tjerët.
Përkushtimi ynë për të gjelbrën, shprehet edhe në rregullimin e parqeve të reja në qytet e fshatra, ku tashmë kemi nisur punimet për rregullimin e Parkut tek ish lokacioni i KRM “Pastërtia” dhe shumë shpejt, nisim edhe rregullimin e Parkut tek ish lokacioni i Stacionit të Autobusëve në Ferizaj – duke i shtuar kështu ferizajasve edhe dy parqe të reja të jashtëzakonshme në zemër të qytetit.
Në këtë mes, kemi edhe projektin e rregullimit të parkut me gjithë infrastrukturën përcjellëse në fshatin Varosh”, ka thënë Aliu.
Kryetari Aliu, ka folur edhe për projektet e infrastrukturës, për projektet që janë realizuar, por edhe për projektet që pritet të realizohen në të ardhmen.
“Sa i përket fushës së infrastrukturës, projekteve ku Ferizaj bën dallimin e qartë me të gjitha qendrat e tjera, për qasjen transformuese, artin e funksionalitetin që zbaton përmes këtyre projekteve, na ndajnë edhe pak ditë nga përurimi i një tjetër vepre të jashtëzakonshme infrastrukturore, nënkalimit për vetura dhe këmbësorë tek Stacioni Policor në Ferizaj, vepër kjo që transformon gjithë zonën urbane, duke i dhënë dinamika zhvillimi çdo arterie rrugore të Ferizajt.
Po kështu, dimension të ri zhvillimi Ferizajt i japin edhe projeksioni ynë për rikonstruktimin e tërësishëm të rrugës “12 Qershori” si dhe rikonstruktimi i rrugëve “Besim Rexhepi” e “Rizah Matoshi” punimet për të cilat kanë filluar.
Qeverisja jonë, ka ideuar dhe projektuar edhe ndërtimin e rregullimin e sheshit nga rrethrrotullimi i rrugës “Madeleine Albright” deri tek Teatri i Qytetit, një shtojcë kjo e sheshit qendror të Ferizajt, që i shton për mijëra metra hapësirat e reja publike për ferizajasit dhe mbi të gjitha i jep hove të reja zhvillimi bizneseve në atë zonë.
Në këtë kuadër, ditë më parë nisi edhe projekti për rikonstruktimin e rrugës “Naim Beka” në Ferizaj deri në Pleshinë, projekt ky në bashkëpunim me Ministrinë që i jep fizionomi të re e krejt moderne kësaj arterie të rëndësishme rrugore.
Po kështu, në orientimin tonë investimor e që po realizohet është edhe asfaltimi i rrugës “Cen Dugolli” dhe “Brigada 161” ish rruga e “Reçakut” nga Policia e deri tek rruga “Driton Islami” që paraqet një model në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, pa lënë anash edhe punën tonë të përditshme si dhe investimet në këtë drejtim, për asfaltimin e zgjerimin e rrugicave të qytetit.
Në këtë projeksion, kemi edhe zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës “Agim Ramadani” në zonën rekreative-sportive, pas zhbllokimit të procesit nga AKP-ja e po kështu po vazhdojmë me projektin e ndërtimit të rrugës Varosh – Gurëz përgjatë hekurudhës.
Në planin e infrastrukturës rrugore në fshatra, qindra projekte tashmë po realizohen e përbëjnë edhe orientimin tonë investimor për të ardhmen, siç janë: asfaltimi i rrugëve të mbetura në fshatin Pleshinë, asfaltimi i rrugës nga Lagjja Spahia në Greme deri në Varosh, rikonstruktimi i rrugëve kryesore në Prelez të Jerlive, Varosh, Gaçkë, Rakaj. Asfaltimi i rrugës Manastirc- Pleshinë, asfaltim i rrugës Prelez i Jerlive – Prelez i Muhaxherëve, asfaltimi i rrugës Gaçkë – Topojan, asfaltimi i rrugës Muhoc-Sazli, asfaltimi i rrugës Zaskok- Ferizaj. asfaltimet e rrugëve dhe rrugicave të mbetura në fshatrat: Varosh, Nikadin, Fshat i Vjetër, Rahovicë dhe Talinoc i Muhaxherëve, Koshare, Lloshkobare, Kosinë, Softaj, Cërnillë, Surqinë, Doganaj, Papaz, Sazli, Neredime e Epërme, Balaj, Mirash, Komogllavë, Dremjak, Sojevë, Zllatar, asfaltimi i rrugicave në Bablak dhe rrugicave të mbetura në fshatin Tërrn, Prelez i Jerlive dhe Muhoc.
Asfaltimi i rrugëve në lagjen Sherret dhe “Rizah Matoshi” pa lënë anash edhe zgjerimin e rrugëve, rregullimin e trotuareve, punimet për sistemin e ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërtimin e kolektorëve për grupe fshatrash, investime këto që përmbushin dhe kompletojnë infrastrukturën për fshatrat e Ferizajt”, tha Aliu.
Numri një i qytetit të Ferizajt, ka thënë se në fushën e shërbimeve publike dhe emergjencë, pas projekteve madhore që përuruam ditë më parë si Stacioni i Ri i Autobusëve dhe transporti urban, do të zgjerojmë investimet edhe në rregullimin e vendndaljeve dhe pritoreve moderne të autobusëve.
“Në këtë kuadër edhe një mori projektesh të kësaj fushe, vazhdojnë të realizohen si zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik, eliminimi i deponive të mbeturinave, riparimi i rrugëve dhe trotuareve me asfalt dhe kubëza, rregullimi i udhëkryqeve rrugore, rregullimi i infrastrukturës për persona me nevoja të veçanta, rregullimi i shtretërve të lumenjve dhe kanaleve ujore si dhe investimet në hidrantë, infrastrukturën nëntokësore në qytet dhe fshatrat e Komunës sonë”, tha ai.
Gjithashtu, u përmendën projektet në fusha të tjera si arsimi, kultura, rinia, sporti, bujqësia, shëndetësia dhe mirëqenia sociale, si dhe përkushtimi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Pas fjalimit të Kryetarit Aliu, pasuan diskutime nga anëtarët e kuvendit – me pikëpamje pro dhe kundër – por në fund Korniza Afatmesme Buxhetore 2026–2028 u miratua me shumicë votash. Gjatë momentit të votimit, përfaqësuesit e partive opozitare lëshuan sallën.
Në këtë mbledhje u trajtuan edhe pika të tjera të rendit të ditës, të cilat gjithashtu morën miratimin e Kuvendit Komunal.