22,11,2024

Shënohet 12 Qershori – Dita e Çlirimit të Ferizajt!

Must Read

Ferizajasit me një sërë manifestimesh kanë shënuar 25-vjetorin e Çlirimit, duke e kthyer kujtesën në këtë ditë që shënoi fillimin e një epoke të re në liri.

Kreu i pushtetit lokal, prirë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjarë të Dëshmorëve të Kombit, krerë të partive politike, Policia e Kosovës në Ferizaj, FSK, nxënës, qytetarë të shumtë bënë homazhe sot në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Ferizaj, duke vendosur kurora të freskëta me lule në nderim të sakrificës sublime të Dëshmorëve të Kombit.

Akademia Solemne në shënim të 12 Qershorit është mbajtur ne fshatin Koshare, me ç’rast është bërë shpalosja e shtatores së Dëshmorit të Kombit Besim Fazliu.

Të pranishmëve me një fjalë rasti ju është drejtuar, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ai çmoi lartë sakrificën sublime të Dëshmorit të Kombit, Besim Fazliu.

“Qershori, përtej një muaji kalendarik, për shqiptarët përfaqëson kurorën e fitores, datat lavdiplota, triumfin e çlirimit e ndërgjegjën e shtrenjtë e të shenjtë të kombit. Që me Lidhjen e Prizrenit e deri tek Çlirimi i Kosovës,mbi 100 vite që bashkojnë njëra-tjetrën, populli shqiptar deshi lirinë, eci në hapat e parë të themeleve të shtetësisë e të gjithë bashkë sakrifikuam për lirinë.Lumenj gjaku lanë truallin arbëror, truallin dardan, me gjakun e bijave e bijve tonë, kur historia shkruhej me tehun e shpatës e grykën e pushkëve ndër shekuj në Gadishullin Ilirik. Janë varret e pafundme dëshmitare, është kujtesa që u bart mbi supe nga njëri shekull tek tjetri, janë heroizmat që i dhanë frymë e ushqyen rrënjët tona të lirisë e pavarësisë. Kosova po lahej në gjak, kthetrat e robërisë ishin ngulur thellë në mishin e trupit të shqiptarëve në fundshekullin XX. Lotët u përbuzën e asnjëherë nuk ishin ngushëllimi ndër shqiptarë.Në horizont po shfaqej aura e lirisë. Vallja e vdekjes po hedhte hapat e fundit. Porta e triumfit ishte afër. Në zemrën e gjithë kombit, në mendjen e çdo shqiptari, në dejet e gjithësecilit lindi liria – lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës – emblema e të shtrenjtës fjalë të lirisë. Në sfondin e robërisë, kur çdo gjëje shqipe po i tretej dheu nën këmbë, me idenë e angazhimin e çdo leve shtetërore të pushtuesit, për ta rrënuar përjetësisht, Ushtria Çlirimtare e Kosovës erdhi si fresk pranvere, aromë lirie, ishte zgjimi i madh që për shekuj shqiptarët pritën, erdhi për ta vulosur përjetësisht lirinë e Kosovës, Republikën për çdo shkronjtë të së cilës, e lamë me gjak e vuajtje të bashkëkombasve tonë. Liria nuk erdhi pa gjak. Liria nuk erdhi befasisht. Askush nuk na fali lirinë. Ajo marshoi maleve e luginave, marshoi në dejet e çdo luftëtari e të çdo shqiptari, vloi në gjoksin e trimave e trimëreshave, shpërtheu zjarr në grykat e pushkëve e la gjurmët e sakrificës në beteja të lavdisë, për t’u kurorëzuar me çlirimin në 12 Qershorin e 1999-tës. Lirinë e solli gjaku i Dëshmorëve, trimëria e luftëtarëve të lirisë, gjymtyrët e kockat që u shkrinë për atdheun, martirët e të rënët që deri në çastet e fundjetës, nuk rreshtën vrapin kombëtar drejt idealit të lirisë. Shqiptarët u bekuan në betejën për liri, me aleatë fuqinë planetare – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, shtetet anëtare të NATO-së, që bashkë me uniformën e krenarisë sonë – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bën të shkëlqej sa të jetë jeta, ndër epoka, liria e Kosovës. Sot, në këtë kremtë të përvjetorit të lirisë, për të satin vit me radhë, asnjëheri nga ne, nuk ndihet i plotë. Kosova është e paplotë. Festa e lirisë së Kosovës, nuk ka ngjyrat që gjithsecili nga ne kërkon. Janë themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, etërit e lirisë e pavarësisë sonë, ata që na mungojnë, ata që me mungesën e tyre në vatrën e lirisë, këtë festë e bëjnë të paplotë. Ata që në rini u ndeshën me burgje, me persekutime, me sakrifica personale e familjare, ata ishin cak i pushtuesit që në rini, dalzotës të atdheut që në të hershmet vite të përpjekjes për liri. Nuk ka gjyq që lëkund forcën e tyre, historinë e lavdinë– shkronjat e së cilës u thurrën me veprën heroike të tyre. Ngadhnjimtarë do të dalin, si liria e Kosovës. Ferizaj shënon sot Çlirimin që breza të shumtë ëndrruan. Amaneti i Dëshmorëve të Kombit, martirëve, merr jetë me zhvillimin, me hapërimin drejt mirëqenies më të plotë, me buzëqeshjen në fytyrat e të rinjve, me rrezet e shpresës e mirësisë ndriçuar nga e ardhmja. Ky është obligim i gjithsecilit nga ne, ky është pakti i lirisë sonë. Sot, këtë festë çlirimi e madhështon edhe më shumë shtatorja e lirisë. Dëshmori i Kombit, Besim Fazliu po i rikthehet në bronz Koshares së tij, po i rikthehet Ferizajt e bashkëluftëtarëve të tij, po i rikthehet brezave që nuk përjetuan luftën, por të ardhmen ndërtojnë me rrëfimet e saj. Madhështore është shtatorja e tij, siç është vepra heroike që la pas, guximi që skaliti figurinë e tij, në betejat e luftës për çlirim. Viganë si Besimi, si Brahimi, si Bekimi Kosharja i dha luftës për liri. Në Kosharen e lavdisë, ndër shekuj të historisë, lindën, luftuan e kaluan në përjetësi, në rrugën e Sefë Koshares e Mic Sokolit, edhe trimat sypatrembur, Dëshmorët e Koshares – Besim Fazliu me shokë. Sot Besimi është me ne! E me ne do të jetoj, kujtimi e vepra e tij, sa të jetë jeta. Ai nga lartë frymon në ajrin e lirisë. Lotët e dhembjes e krenarisë, rrokullisen bashkë në faqet e zemrat tona, plagë e shpirtit tonë që veç liria diti ta qetësoj. Errësira e vdekjes e mori Besimin, për ta graduar përjetë me të shtrenjtin emër Dëshmor i Kombit, në piedestalin dritëplotë të krenarisë kombëtare. Besimi shkroi faqen e tij të historisë, me lavdi, nder e sakrificë. Gjaku i tij njomi shkronjat e lavdisë, pushka e tij skaliti emrin e lirisë. Kosharja, Ferizaj dhe e gjithë Kosova, sot po kremtojnë udhën e lavdisë, me Besimin mes nesh, me ngrehinën heroike që la pas vetes, me Dëshmorët e Koshares, me luftëtarët që fushën e kuqe të flamurit e lanë me gjakun e trimërinë e tyre. Nën hijen e shtatores së tij, do të vijnë e do të rriten brezat, për t’u ndriçuar përjetësisht udha jonë e lirisë. Ta kujtoj Ferizaj, për jetë e mot, Dëshmorin e Kombit, Besim Fazliu!” tha mes tjerash Kryetari Aliu.

Në këtë akademi soleme me fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj Rafiz Sejdiu, i cili ka përshkruar rrugëtimin e bërë drejt lirisë të të gjithë atyre që i dolën në ballë armikut për ta ndalë gjenocidin e për ta hequr litarin nga gryka me luftën tonë për liri. Me fjalë të pranishmëve iu drejtuan edhe Ilmi Rexhepi nga Këshilli organizativ i fshatit si dhe Valon Halimi në emër të familjes së dëshmorit.

Me këngë e poezi, nën interpretimin e oktetit të qytetit nën dirigjimin e prof. Lindita Isufi dhe nxënësit nga shkolla e fshatit, u mbyll ky manifestim.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img