Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Ferizaj dy persona të cilët dyshohen për spiunazh dhe bashkëpunim me “BIA”-n e Serbisë.
Sipas burimeve bëhet fjalë për të dyshuarit B.SH. dhe M.Q.
Aksioni i Policisë së Kosovës po vazhdon, ku edhe po bastisen pronat e të dyshuarve.
Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe. Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.
Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në kanë kryet sot bastisje në dy lokacione ku janë arrestuar dy persona nën dyshimin për spiunazh.
Kështu ka njoftuar Prokuroria përmes një njoftimi për media.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Ndryshe në media është raportuar se bastisjet janë kryer në qytetin e Ferizajt dhe të arrestuarit janë B.SH dhe M.Q.
Të njëjtit sipas burimeve dyhsohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.
Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për spiunim për BIA-n serbe.
Dogana njofton se personi Bedri Shabani i dyshuar në këtë rast, është pushuar nga pozita e tij në këtë institucion 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
Shkarkimi i tij sipas doganës kishte ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.
“Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në sqarim.
Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.