Qytetarë të shumtë, drejtues të pushtetit lokal dhe qendror, drejtues të shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve por edhe mysafirë të tjerë kanë marr pjesë mëngjesin e sotëm në homazhe tek Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës sublime të Dëshmorëve të Kombit.
Pas homazheve, aktivitetet për Festën e Pavarësisë kanë vazhduar me një akademi solemne të organizuar për nder të gjashtëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në hapjen solemne të kësaj akademie, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu iu drejtua me një fjalë të pranishmëve.
“Këtejmi 16 vite më parë, mes emocionesh të forta të zemrave që vuajtën, jetëra që lindën e vdiqën me idealin e lirisë farkëtuar në gjoks, lotëve të mallit të nënlokeve e baballarëve për të bijtë e bijat, përjetuam ëndrrën që për shekuj përkundëm ndër breza, për lirinë e pavarësinë. Është 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, data e pashlyeshme e qenies sonë, kremta jonë kombëtare, emocionet e gëzimit, dhembjes e krenarisë të lidhura nyjë në rrugët e kujtesës e përkuljes para sakrificës ku kryqëzohej fati i Kosovësndër breza. Është pra, Kosova dardane – ashti ynë i pathyeshëm në palcën e kombit.Sa shumë lot nënash u thanë në krahët e shpresës, sa mall ndrynë zemrat e baballarëve, sa shumë gjak dëshmorësh njomën tokën dardane, sa klithma fëmijësh u dëgjuan përgjatë robërisë, sa eshtra as varr të prehen nuk gjetën. Mbi varre ngadhnjeu jeta, lumenjtë e gjakut kulluan për të buruar lirinë shumë të pritur e luftuar për të për shumë shekuj. Erdhi e bekuar, liria e Kosovës, atë e bekuan sakrificat e gjaku i dëshmorëve e martirëve.
Erdhën të shndrritshmet vite tona, pas gjakosjeve, prangave, përndjekjeve, flijimeve, jetërave të këputura në fill apo në mes, të popullit që nuk njeh dorëzim, të popullit që në gjenezë ka rezistencën e luftën për liri,shqiptarëve dalzotës të atdheut, që shembën themelet e ngrehinës së robërisë, ngritur mbi kurrizin e tyre përshekuj. Nga Kosova buroi lumi i gjakut, lotëve të krenarisë e dhembjes përgjatë historisë së kombit shqiptar këndej dhe andej Drinit, në shtetet shqiptare e krahina.
Nga Kosova e fjalës së Hasan Prishtinës u besatuan trimat e trimëreshat dalzotës të atdheut. Kosova e Azem Galicës, rroki pushkët për ta mbjellë me forcën e shqiptarit, farën e lirisë ndër këto troje e ishin bijtë e bijat e Kosovës, luftëtarët e lirisë, Dëshmorët e Kombit në të lavdishmin e sublimen emër të lirisë së Kosovës – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata që prekën zenitin, ata që ngjitën të shumë ëndrruarën maje të pashkelur gjer atëherë, majen e ndritur të lirisë. Mes maleve, luginave, grykave e shkëmbinjve, peisazhi i lirisë së Kosovës po qartësohej horizonteve nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga Prekazi e gjer në Jezerc, jehonte pushka e Komandantit Legjendar Adem Jashari, për të frymëzuar breza e breza që do të vijnë pas nesh, për të ngritur një popull në epopenë e lavdisë, prijëtare të lirisë. Janë luftëtarët e lirisë, flamuri që përbashkoi djemtë e vashat tona, shkaba dykrenare që i bën rojë lartë në qiell të shtrenjtëve dëshmorë, është Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës – emri ynë i lirisë, themeli i shenjtë i shtetësisë, lavdiplote e gjithë shoqërisë”, ka thënë Kryetari Aliu.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në fjalën e tij ka thënë se luftëtarët, dëshmorët e martirët e lirisë, frymë morën e u brumosën me atdhedashurinë, që me ninullat e djepit foshnjor, në bankat e shkollave e muret e qyteteve duke skalitur emrin e Kosovës Republikë, me vargjet, meloditë, dijet e dashurinë për Kosovën – gjakun tonë që nuk falet.
“Bijtë e Kosovës së Podrimjes a psalmet e Shkrelit për Kosovën ishin mishërimi i guximit, marshit drejt shtigjeve të largëta por krenare të lirisë, maratonomakët e epokave kur farkohej ideja e lirisë sëKosovës. Mbi një dekadë e gjysmë, dielli si ky sot, ngrohë e shndrrit mbi palcën e kombit, për t’i dhënë frymë e shpirt, shqiptarëve anekënd”, është shprehur Kryetari Aliu.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tutje ka potencuar se 17 shkurti i 2008-tës, është kthesa vendimtare e përfundimtare e vrapit tonë shekullor drejt fanarëve tëlirisë.
“Shkurti i stinës së ftohtë, në ditën e 17- të tij, prore ngrohë zemrën e çdo shqiptari. Por ama, ky përvjetor i 16-të i Pavarësisë, shënohet jo zemër plotë. Janë krerët e Ushtrisë Çlirimtare tëKosovës atje në Hagë, meritorët e luftës për liri e etërit e Pavarësisë së Kosovës, ata të cilët padrejtësisht na i morën, ata që na mungojnë, ata që edhe sot me ditët e vitet e tyre, për faktin se i sollën popullit të tyre lirinë, mes muresh të larta e kullave prej letre të një gjykimi absurd, po përjetojnë e bartin mbi supe, edhe pas lirisë, peshën e triumfit të një populli. Më i fortë se burgu e se çdo gjyq, është lufta jonë përliri. Ndonëse në të largëta vise, qindra kilometrike, ata janë mes nesh çdo ditë, me gjurmën që lanë në themelet që i ngritën Kosovës, me të jashtëzakonshmin mund e përpjekje, vepra e ide, shembëlltyra të patjetërsueshme, që lirinë e bënë të çelë, shtetin të ngritet e forcohet në çdo ditë të përpjekjes së tyre. Sot, Kosova e them me plot bindje, me zërin e bashkëqytetarëve tonë, vuan mungesën e tyre. Festa e lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, është e paplotë, pa kreun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Drejtësia sikurse liria 25 vite më parë, do të triumfoj, për t’ia kthyer Kosovës të pafajshëm e të pastër kristal siç ishin e do të jenë gjithnjë – Heronjtë!”, është shprehur Kryetari Aliu.
“Për Kosovën e 16 viteve pas Pavarësisë, me sytë e kthyer drejt së ardhmes, duhet të gjykojmë të sotmen tonë. Kosova meriton më shumë! Kosova meriton më mirë! Të gjithë bartim në zemër e mendje amanetin e dëshmorëve e idealin që vlonte në gjoksin e çdo luftëtari të lirisë. Ata ranë, ata luftuan, për ta bërë të parrëzueshme, të paprekshme, lirinë e shtetësinë tonë. Shtigjeve tona drejt lirisë, rrugëtuam bashkë me krahët e fuqishme të aleatëve ndërkombëtarë. Falënderim e mirënjohje sa të jetë jeta aleatëve ndërkombëtarë që ëndrrës sonë të lirisë dhe shtetësisë i dhanë kuptimin e realitetit.Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut, siç narrëfejnë dijet e lashta, andaj pa miqtë ndërkombëtarë, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet mike të Evropës, qenia jonë shtetërore, do të vihej në mëdyshje.
Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gafurr Bytyqi. Ai ka vlerësuar tejet lartë të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e shtetit tonë.
Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik nga grupi i arbëreshëve “Kreshnikët e Lirisë”, të cilën me këngë e valle, sollën emocione të forta malli, atdhedashurie për publikun ferizajas.