Pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë luftëtari i lirisë, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Haliti.
Me rastin e vdekjes së veteranit të UÇK-së familjes Haliti i dërguan shumë telegrame ngushëllimi. Telegrame ngushëllimi familjes i dërguan kryetari i Ferizajt Agim Aliu, Organizata e Veteranëve të UÇK-së dhe shumë bashkëluftëtar Naserit të cilët ndanë dhimbjen me familjen Haliti.
“Me pikëllim të thellë, mora lajmin për ndarjen nga jeta të luftëtarit të lirisë, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktivistit politik, bashkëqytetarit tonë, Naser Haliti.
Janë të rënda e të dhembshme lamtumirat me çlirimtarët, luftëtarët për lirinë e Kosovës. Bashkëqytetari ynë, Naser Haliti, gjatë gjithë jetës së tij, rrezatoi guxim, dinjitet, zell e përgjegjshmëri në detyra që barti mbi vete, për të mirën e përgjithshme.
Vepra e tij, skalitur në themelet e lirisë së Kosovës e bën të pavdekshëm si çlirimtar, si luftëtar të lirisë. Kontributi i tij në shoqëri, do të mbetet gjurmë e pashlyeshme në mbamendjen e ferizajasve e më gjerë.
Ngushëllime të sinqerta familjes së respektuar Haliti, bashkëluftëtarëve, miqve e të njohurve të të ndjerit. I qoftë i lehtë, dheu i Kosovës!” thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Aliu
Varrimi i të ndjerit bëhet nesër 02.11.2023, në ora 12:00, në varrezat e fshatit Koshare.