Ka nisur sot së funksionuari Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, një projekt i nisur vite më parë por që po bëhet realitet për të gjithë ata që dëshirojnë të përfshihen në Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Në hapjen solemne të funksionimit të kësaj qendre, kryetari i Ferizajt Agim Aliu tha se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për potencialin e të rinjve në teknologjinë informative që të marrin dijet, shpalosin idetë e rrënjosin kulturën e aftësitë në lëminë e inovacionit dhe ndërmarrësisë
“Hapi dyert Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj unike në llojin e vet, mundësi e jashtëzakonshme për potencialin e të rinjve në teknologjinë informative që të marrin dijet, shpalosin idetë e rrënjosin kulturën e aftësitë në lëminë e inovacionit dhe ndërmarrësisë, duke e shumëfishuar vlerat në tregun e gjerë të mundësive. Faleminderit partnerëve prirë Zyra e Këshillit të Evropës, USAID, GIZ, Suiss Contact e Caritas-i Zviceran që mbështetën këtë vizion i cili do të implementohet nga Flutura Academy, për t’i dhënë këtë mundësi të rinjve ferizajas e më gjerë” ka thënë në mes tjerash kryetari Aliu.
Hapjen e kësaj qendre e ka ndihmuar Këshilli i Evropës, përfaqësues të së cilës kanë thënë se kjo qendër u shërben të rinjve nga të gjitha komunitetet duke u dhënë mundësinë kyçje në tregun e punës përmes potencialit të tyre.
Edhe partnerët tjerë kanë vlerësuar këtë projekt duke premtuar mbështetje për komunën e Ferizajt.