Këtë të martë në Teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj, është shënuar 7 Marsi-Dita e Mësuesit.
Në këtë manifestim mori pjesë drejtori i Drejtorisë së Arsimit Afrim Llabjani, drejtor të drejtorive komunale, veteranë të arsimit, mësimdhënës si dhe mysafirë të tjerë .
Me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, të pranishmit i ka përshëndetur në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
“Në këtë ditëlindje të Shkollës Shqipe, më lejoni që në emër të kryetarit Agim Aliu dhe të Drejtorisë së Arsimit t’ju uroj dhe përgëzoj për këtë datë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të historisë së shkollës shqipe, në datën kur për herë të parë u vunë themelet e para drejtë emancipimit dhe ngritjes së vetëdijës sonë kombëtare.
Të gjithë ne, në këtë sallë e kudo në auditoriume mes nxënësve, kolegëve të arsimit, prindër, kemi një mision, të vështirë e me plotë sakrifica, por që të vendosur të lartësojmë më të shtrenjtën e më të rëndësishmen vlerë ndër ne, arsimimin e edukimin e brezave.
Të gjithë bashkë po bëjmë përpjekje që të kalojmë në një nivel tjetër të shkollimit të brezave ndër ne, dhe sigurisht, barra më e madhe bie mbi ju të nderuar mësues, mbi ju që dje sakrifikuat gjithçka, mbi ju që sot e kurdo jeni të gatshëm përsëri të bëni gjithçka që e ardhmja e shtetit tonë të jetë e sigurt dhe premtuese për të ardhmen e gjithësecilit nga ne.
Edhe sot, të qeverisësh me arsimin, nuk është e lehtë. Sfidat po na përcjellin në çdo segment të jetës e poashtu edhe në arsim. Por, siç ia dolëm dikur, edhe sot do t’ia dalim”, ka thënë drejtori Llabjani.
Ai tutje është shprehur se janë bërë edhe investime të shumta në arsimin ferizajas, gjatë viteve të fundit.
“Kam nder e privilegj, që në furinë e gjatë të ndryshimeve në Ferizaj, një hapësirë të gjerë të zënë edhe investimet në infrastrukturën arsimore. Nisëm e po përfundojmë godina të reja shkollore, avancuam e po përpiqemi të lartësojmë edhe më shumë nivelin e shërbimeve arsimore, jemi besimplotë se e nesërmja do të çelë më e mirë për të gjithë ne.
E ju, prindër, mësimdhënës, nxënës, drejtues shkollash e institucionesh arsimore, keni një detyrim, të bëni më të mirën, më të zgjuarën, më të drejtën që arsimi ferizajas të duartrokitet e të meritoj festa si kjo e sotmja, për të cilat ju e unë bashkë me ju, kemi një pakt, të punojmë me vetmohim, të japim gjithçfarë dijmë e mundemi për ta bërë më të mirën, që e ardhmja jonë e arsimit dhe shoqërisë në përgjithësi, të jetë e ndritur dhe e mbushur me plot shpresë”, ka pë rfunduar drejtori Llabjani.
Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo- artistik.