Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset. Marketet e xhamitë në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, duke kapur qoftë para apo edhe gjësende ushqimore. Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për raste të tilla, ku jo rrallëherë të dyshuarit janë përsëritës të veprave të tilla.
Një ndër hajnat që ka rënë në prangat e Policisë për të disatën herë është edhe Llukman Salihaj nga Shtimja, i cili është arrestuar mbrëmë në Prizren, pasi vodhi arkën me paratë e dedikuara për ndihma, në një furrë. Policia arriti ta kap shumë shpejt Salihajn, i cili është person i njohur për organet e rendit, pasi që një kohë bën kërdi gjithandej duke vjedhur.
32-vjeçari fillimisht kishte ikur me një veturë të cilën e kishte marrë me qira nga një kompani në Ferizaj, duke shpresuar se do t’ju shpëtojë prangave të Policisë. Por ndonëse me përvojë në këtë “fushë”, pasi dyshohet për rreth 60 raste të vjedhjeve, këtë herë nuk i funksionoi plani dhe u arrestua.
Pas shoqërimit në stacion policor, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë me endim të Prokurorit të Shtetit dhe ndaj tij është iniciuar edhe një rast tjetër.
Salihaj edhe në tetor ra në prangat e Policisë
I riu që dyshohet për dhjetëra vjedhje, disa prej të cilave i ka kryer nëpër xhamitë e Ferizajt edhe në fund të tetorit ka rënë në prangat e Policisë.
Ai ishte arrestuar pasi dyshohej për së paku katër vjedhje të rënda në xhaminë e vogël në rrugën “Ramadan Ferizi”, në xhaminë e fshatit Kosi, xhaminë në rrugën “Hamëz Jashari”, si dhe në xhaminë e fshatit Slivovë.
Ndonëse ka kryer gjithë këto vjedhje, Salihaj sërish është lënë i lirë, vepër kjo të cilën e ka përsëritur në vazhdimësi, pasi autoritetet janë treguar dorëlirë ndaj tij, duke mos urdhëruar masë sigurie.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.