24,12,2024

Adem Salihaj jep dorëheqje nga LDK-ja

Must Read


Adem Salihaj ka dhënë dorëheqje nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK). Salihaj ka thënë se 18 vjet ka qenë në krye të LDK-së, Dega në Ferizaj.

Adem Salihaj ka thënë se tash e tutje do t’i përkushtohet familjes dhe shkrimeve, duke ua lënë angazhimin gjeneratave të reja.

“Të dashur veprimtarë, sot kemi ardhur në një moment kur unë dua ta përfundoj periudhën e angazhimit partiak dhe të marrin përgjegjësi gjeneratat e reja, ta vazhdojnë punën dhe aktivitetin në LDK. Shpresoj se do të gjenden njerëz që do ta vazhdojnë vizionin rugovian dhe frymën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, tri shtyllat kryesore dhe tri vlerat më të mëdha të partisë sonë, të vendosura nga Presidenti Rugova. Unë dëshiroj që, tash e tutje, t’i përkushtohem familjes dhe shkrimeve”, ka shkruar Salihaj në “Facebook”.

Postimi i plotë i Salihajt, pa ndërhyrje:
Kam punuar së bashku me ju për një periudhë shumë të gjatë kohore. Po bëhen 32 vite, që nga themelimi i LDK-së – dega në Ferizaj. Me disa prej jush jemi bashkë që nga themelimi i saj, me disa të tjerë pak më vonë, kurse me disa të rinj jemi bashkë në vitet e fundit. Gjithmonë kemi punuar me përkushtim deri në sakrificë për idealet tona rugoviane të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kemi punuar njëkohësisht, për ndërtimin e institucioneve tona demokratike e të pavarura të Republikës së Kosovës në periudhën e paraluftës. Të punosh në ato kushte dhe në ato rrethana, ka qenë një punë e vështirë, me rreziqe të mëdha, me shumë vështirësi dhe sakrifica të vazhdueshme. Por, kauza jonë e shenjtë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës na ka dhënë forcë që të ecim përpara dhe të mos marrim parasysh asnjë pengesë që na ka dalur në rrugë. Puna jonë e palodhshme e këmbëngulëse, uniteti ynë dhe i krejt popullit rreth LDK-së dhe Presidentit Rugova, na ka dhënë forcë aqë të madhe, sa që e kemi trumfuar moralisht mbi një armik të egër e të armatosur rëndë me të gjitha llojet e armatimit-mbi një armik aqë të paskrupullt, siç ishte Serbia. Sot ndoshta mund të jeni të lodhur nga një veprimtari kaq e madhe dhe kaqë intensive mbi 30-vjeçare, e cila nuk është shpërblyer asnjëherë me të mira materiale. Por shpërblimi më i madh për të gjithë ne dhe për popullin tonë ka qenë liria dhe pavarësia e Kosovës. Kjo ka qenë kauza jonë e madhe, për këtë kauzë jemi sakrifikuar. Këtë e kemi satisfaksion. Sot jemi krenarë që kemi qenë bashkë në këtë luftë dhe këtë sakrificë dhe kemi arritur deri këtu.

Sot, kur kthehem pas dhe shoh jetën time, nuk mund të mos ndjehem krenar për gjithë atë që kam bërë, bashkë me ju për Kosovën tonë. Sot jam krenar që isha njëri prej idealistëve më të mëdhenj të luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës. Nuk mund të mos ndjehem krenar për veprimtarinë politike patriotike dhe sakrificat e mëdha, jo vetëm gjatë periudhës 32-vjeçare të LDK-së, por pothuajse gjatë gjithë jetës sime, duke filluar prej vitit 1968, kur isha nxënës i shkollës së mesme, e deri në ditët e sotme. Rreth 12 vite kalova në burgjet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë. Jugosllavia dhe Serbia tri herë më gjykuan dhe më dënuan, por edhe dy herë tjera m’i filluan gjykimet, por këto nuk arritën t’i përfundojnë, sepse përfundoi një herë e përgjithmonë sundimi serb në Kosovë. Në vitin 1981 gjyqi më dënoi me 7 vjet burg për pjesëmarrje dhe qëndrim në ballë të demostratave. Më 28 Nëntor të vitit 1991 u arrestova dhe u dënova me 40 ditë burg për organizimin e Ditës së Flamurit. Në vitin 1993 u arrestova dhe u dënova me 4 vjet e 6 muaj burg si pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës-respektivisht, si komandant i Shtabit komunal në Ferizaj. Në vitin 1993 poashtu m’u nis edhe një proces tjetër gjyqësor, sepse patëm formuar qeverinë e atëhershme komunale. Gjatë bombardimeve të NATO-s mu nis edhe një proces gjyqësor për bashkëpunim me NATO-n. Madje, edhe pas përfundimit të luftës dhe largimit të Serbisë nga Kosova, gjykata e Vranjës në Serbi ende më dërgonte thirje që të paraqitesha në gjykatë, që të më gjykonin dhe dënonin për bashkëpunim me NATO-n.

Siç po shihet, nuk e pata lehtë. Që nga viti 1981 isha i përndjekur, i persekutuar, i torturuar brutalisht dhe i dënuar. Për fat të keq, edhe në Kosovën e çliruar, isha i përndjekur dhe i kërcënuar deri në vrasje nga bandat politike. Pas vdekjes së Presidentit Rugova, madje isha i përndjekur edhe nga vetë partia ime. Por, e ndjej veten krenar që kurr nuk u nënshtrova as nga torturat, dënimet dhe dhuna serbe, e as nga bandat politike të pas luftës.
Është tepër emocionues fakti se pas tentim vrasjes në përvjetorin e parë të çlirimit, më 12 qershor 2000, ju veprimtarët e LDK-së, vullnetarisht bëtë roje natën te shtëpia ime, duke më mbrojtur mua dhe familjen time nga bandat politike të pasluftës, duke rrezikuar edhe jetën tuaj. Vërtetë nuk di si t’ju falënderoj për këtë veprim kaq solidarizues deri në sakrificë. Ju falënderoj deri në përkulje për këtë vepër tuajën kaq fisnike. Vërtetë ishim gjeneratë e idealeve të mëdha.

Po ashtu, ndjehem krenar, sepse , në veprimtarinë time të gjatë në LDK, kisha përkrahjen e parezervë të Presidentit Rugova, i cili, që nga viti 1998, kur dola nga burgu, e deri në fund të jetës së tij, pati besim të paluhatshëm në mua dhe më besoi detyra të rëndësishme. Me krenari të veçantë mund të them se isha bashkëpunëtor i ngusht i presidentit Rugova. Si rezultat i punës, angazhimit dhe sakrificës sime, pata funksione dhe përgjegjësi të shumta shtetërore e partiake. Me propozimin e Presidentit Rugova, isha i emëruar zëvendëskryeministër i parë dhe i vetmi deri atëherë i Qeverisë së Kosëvës në mandatin 2004-2006. Kjo ishte pozita më e lartë që kishte LDK-ja në qeveri. Një periudhë të shkurtër isha edhe kryeministër në detyrë i Qeverisë së Kosovës. Poashtu, me propozim të Presidentit Rugova, u zgjodha edhe anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vetë populli i Kosovës, përmes votës, më dha përgjegjësi dhe funksione të rëndësishme shtetërore e politike. Isha dy herë i zgjedhur, pra, dy mandate, kryetar i komunës së Ferizajt. Gjatë periudhës së paraluftës, kam qenë dy mandate deputet i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.
Po ashtu, dy mandate kam qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën e pasluftës. Gjatë mandatit të vitit 2007, isha deputet dhe nënshkrues i aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në vitin 1991, me vendim të presidentit Rugova, u themelua Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, me qëllim të përgatitjeve ushtarake për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Në tetor 1991, u emërova komandant i shtabit ushtarak për Ferizaj. Pavarësisht faktit që, në vitin 1993, u arrestuam tre anëtarë të shtabit, pavarësisht faktit që u qemë nënshtruar torturave çnjerëzore nga UDBA famëkeqe, jam krenar që nuk e zbuluam organizimin tonë ushtarak, në të cilin ishin të kyçur 110 anëtarë nëpër shtabet e njësive ushtarake, e të cilat kishin të sistemuar 4260 ushtarë dhe një numër i madh në shtabet e Mbrojtjes Civile, ku përfshiheshin rreth 1000 anëtarë. Ne nuk e zbuluam asnjë njeri dhe asnjë dokument ushtarak të shtabit. Sigurisht, ka edhe shumë ngjarje e procese, që mund të përshkruhen, por ato do t’i bëj në ndonjë rast tjetër.

Të dashur veprimtarë të devotshëm të LDK-në Ferizaj

Gjatë periudhës mbi 30-vjeçare të punës sonë të përbashkët, 18 vjet kam qenë në krye të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj. Gjatë periudhës së paraluftës, dega e LDK-së në Ferizaj ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në të gjitha fazat dhe proceset e shtetndërtimit. Në periudhën e pasluftës, dega jonë ka luajtur, poashtu, rol të rëndësishëm në të gjitha proceset politike. Ishim bastioni më i madh i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i fituam zgjedhjet e pasluftës me rezultat shumë të madh. Padyshim që kishim edhe periudha të vështira, por që janë krejt normale në të gjitha partitë politike. Unë e pata bazën në Ferizaj, u nisa nga Ferizaj dhe çdo gjë që arrita, e kishte pikënisjen nga Ferizaj.Të dashur veprimtarë, sot kemi ardhur në një moment kur unë dua ta përfundoj periudhën e angazhimit partiak dhe të marrin përgjegjësi gjeneratat e reja, ta vazhdojnë punën dhe aktivitetin në LDK. Shpresoj se do të gjenden njerëz që do ta vazhdojnë vizionin rugovian dhe frymën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, tri shtyllat kryesore dhe tri vlerat më të mëdha të partisë sonë, të vendosura nga Presidenti Rugova. Unë dëshiroj që, tash e tutje, t’i përkushtohem familjes dhe shkrimeve.

Me këtë rast unë dëshiroj t’ju falënderoj të gjithë ju veç e veç për gjithë përkrahjen që më keni dhënë në vazhdimësi në periudha të ndryshme dhe për gjithë kontributin që keni dhënë për disa dekada për Ferizajn dhe Kosovën. Kemi qenë bashkë në ditë të mira dhe të vështira, por ia kemi dalë. Të gjithë ju që e përfundoni periudhën e gjatë të angazhimit partiak, ju falënderoj për të gjitha! Të gjithë ju që do ta vazhdoni aktivitetin partiak, ju dëshiroj shëndet dhe suksese!

Jam krenar që punova me ju!

Ju faleminderit!

Adem Salihaj

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img