Edhe Komuna e Ferizajt, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për Ditët e Mërgatës. Aktivitete për shënimin e këtyre ditëve do të fillojnë nga dita e nesërme, ndërkaq do të vazhdojnë deri me 11 gusht.
Sipas drejtores së Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Xhemile Murati-Shabani, aktivitete për shënimin e këtyre ditëve edhe kësaj radhe do të fillojnë me aktivitete për fëmijë që do të mbahet në sheshin e qytetit në Ferizaj.
Ajo ka thënë se nga data 26 korrik deri me 11 gusht do të ketë aktivitete kulturore siç janë koncerte të ndryshme, por sipas saj e veçanta e këtyre ditëve është festivali ndërkombëtare i valleve “New Born”, ku do të ketë grup vallesh nga shumë vende të ndryshme të botës. Me koncert do të paraqitet edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, si dhe do të jetë edhe një koncert i Mentor Hazirit.
“Aktivitete do të vazhdojnë edhe me koloni artistike për mërgimtaret, do të ketë ekspozite me eksponante muzeale si dhe ekspozitë me fotografi”, ka thënë drejtorja Murati-Shabani, përderisa ka shtuar se në Ferizaj nga data 4 deri me 6 gusht do të mbahet edhe Panairi i Librit i organizuar nga Klubi Letrar “De Rada”, poashtu do të shënohet edhe Dita Tradicionale “Bjeshkët e Jezercit.
Në kuadër të Ditëve të Mërgatës, është parapare që të mbahet edhe turnir me boks profesional me tituj botëror, ku prezantimi i garuesve do të mbahet në sheshin e qytetit me datën 27 korrik, ndërkaq turniri do të mbahet të premten me datën 29 korrik duke filluar nga ora 20:00 në Palestrën e Sporteve “Bill Klinton”.
“Do të ketë poashtu edhe turnir ne futboll të vogël, turnir ne volejboll, hiking në bjeshkët e Jezercit, lojëra elementare në ujë, si dhe aktivitete me biçikleta”, tha drejtorja Xhemile Murati-Shabani.
Aktivitete për shënimin e Ditëve të Mërgatës, do të mbahen nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Ferizajt Agim Aliu.