24,12,2024

Shënohet 23 vjetori i çlirimit të Ferizajt

Must Read

Ferizajasit me një sërë aktivitetesh  kanë shënuar 23-vjetorin e çlirimit, duke e kthyer kujtesën në këtë ditë që shënoi fillimin e një epoke të re në liri.

Kreu i pushtetit lokal, prirë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mysafirë të veçantë – bashkatdhetarë nga Shoqata e Kosovarëve në Komunën Bafra të Turqisë, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të Dëshmorëve të Kombit e  qytetarë të tjerë janë përkulur para varreve të Dëshmorëve të Kombit.

Aktivitetet për shënimin e 12 Qershorit-Ditës së Çlirimit të Ferizajt, kanë vazhduar tutje, me një akademi solemne të  mbajtur nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, me ç’rast është përkujtuar kjo ditë, e cila bashkë me lirinë e gjakuar ndër vite, solli ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat e jetës.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, me këtë rast ka thënë se sot e gjithmonë, skalisim në kujtesën e mbarë popullit, përpjekjen shekullore shqiptare për lirinë e pavarësinë.

“Aq shumë shumë gjak, aq shumë lot nënash, aq shumë sakrifica e djersë e madhe u desh, për ta kurorëzuar, ëndrrën shekullore të shqiptarëve të Kosovës, lirinë e pritur gjatë. Kosova, Dardania jonë, ka festë. Ka festën e çlirimit nga robëria shekullore serbe, nga regjimi fashizoid serb, i cili përgjatë shekujve e dekadave të shqiptarëve, mbyti me gjak, fëmijë, gra, pleq, burra të këtij vendi, veç pse kërkuan të jetojnë si çdo njeri në botën e civilizuar, të lirë. Kjo festë, nuk është vetëm festë triumfi lirie për Kosovën, por për të gjithë shqiptarët anembanë, për shqiptarët e shtetit amë, për shqiptarët e Iliridës, për shqiptarët në Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Medvegjë e Bujanoc, për shqiptarët në mërgim, për shqiptarët e përvuajtur ndër dekada e shekuj larg vendlindjes, në Turqi, që asgjë nuk i bëri të heqin dorë nga etnia, nga rrënjët stërgjyshore, nga flamuri kuq e zi, nga vatra shqiptare që e deshën, e ruajtën, e mbrojtën, e lartësuan dhe po e forcojnë me punën e tyre, çdo ditë, duke na bërë thellësisht krenarë, të gjithëve. Vëllezërit tanë shqiptarë në Turqi, që sot gjenden në këtë sallë, shumë nga ta, për herë të parë shkelin në tokën stërgjyshore. Kjo flet mjaft, për lidhjen e pashkëputshme, për zemrën e tyre që rreh për vendlindjen, për mendjen e energjinë që i kushtojnë atdheut, për dashurinë që nuk tretet asnjëherë, as kur shekujt ndërrojnë njëri-tjetrin”, ka thënë Kryetari Aliu.

Kryetari Aliu, gjatë fjalës së tij është shprehur se asgjë dhe asnjëherë, nuk ka pasur e nuk do të ketë, më të çmuar, më zemërgëzuar, më ngadhënjimtare sesa Festa e Çlirimit.

“E atë e arritëm bashkë, me luftën çlirimtare të burrave viganë, trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bota pa në sy tmerrin që përjetuan shqiptarët në fundshekullin XX, në këtë pjesë të Gadishullit Ilirik. Pra, në vatrat e tyre stërgjyshore.

Ishte e do të mbetet episod i shndritshëm i rrëfimit tonë për lirinë e shtetformimin, fanar ndriçues i lirisë, përpjekja e qendrave të vendosjes së politikës botërore, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut, që Kosovës dhe shqiptarëve, kurrë më, kurrë më, mos t’i përsëritej drama e përgjakshme. Jemi të përulur e sa të jetë jeta, mirënjohës, djemve e vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dëshmorëve të Kombit, invalidëve, familjeve të Dëshmorëve, martirëve, miqve ndërkombëtarë e të gjithë burrave e grave, që dhanë nga vetja e tyre, guximin, sakrificën, luftën për liri, njerëzoren dhe përpjekjen e pashembullt për lirinë”, ka potencuar Kryetari Aliu.

Numri një i Ferizajt, Agim Aliu, para të pranishmëve ka thëne se sot, kudo në sheshe e bulevarde, frymon liria jonë. Ajo merr jetë, nga gjaku i dëshmorëve, martirëve, që të skalitur përjetësisht i bëjnë rojë Kosovës.

“Robëria kapitulloi para shqiptarëve. Shqiptarët e mbledhur tok, nën shkabën dykrenare, si çdo herë gjatë historisë, i dhanë botës së qytetëruar, mesazhin më të sinqertë, thirrjen më njerëzore, kumtin më të pastër, se populli meriton lirinë.

E kjo lindi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, emblemën e lirisë së Kosovës, më të shtrenjtën e më të çmueshmen vlerë të luftës për liri të shqiptarëve.

Është pushka e luftëtarëve të UÇK-së, është heroizmi, sakrifica, këmbëngulja sypatrembur e flijimi, që i dhanë zë shqiptarëve e aspiratave për lirinë, si thirrje ndërgjegje e trokitje në portat e vendimmarrjes botërore.

Është e paplotë edhe kjo festë, të nderuar të pranishëm! Na gjen të mërzitur, e në pritje. Të mërzitur dhe në pritje, për çlirimtarët tanë, themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që padrejtësisht po mbahen në Hagë, në gjykimin absurd të luftës së një populli për lirinë e tij. Pa themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, festa e lirisë vjen e zbehtë e pa forcën për të cilën luftuan djemtë e vashat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbarë populli i Kosovës.  Por ama, jemi të bindur, nuk ka asnjë fije dyshimi. Drejtësia për themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të triumfoj, ashtu sikurse liria jonë, për ta konfirmuar për të satën herë, pastërtinë e luftën e drejtë tonë. Atëherë festa e çlirimit, do të jetë më kuptimplote, kur çlirimtarët t’i kemi mes nesh.  Sot, Ferizaj shënon Ditën e Çlirimit. Sikurse qyteti ynë edhe qendrat tjera anembanë vendit, shënojnë Ditën e Çlirimit. Kosova po bëhet! Ëndrra e dëshmorëve po jetësohet. Gjaku i tyre për lirinë, u shpërblye”, ka përfunduar Kryetari Aliu.

Në akademinë solemne të organizuar me rastin e 12 Qershorit-Ditës së Çlirimit të Ferizajt, të pranishmit i ka përshëndetur edhe Kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve në Komunën e Bafra-së të Rajonit të Samsunit në Turqi, Yunus Gün.

Me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, i cili ka përshkruar rrugëtimin e bërë drejt lirisë të të gjithë atyre që i dolën në ballë armikut për ta ndalë gjenocidin e hequr litarin nga gryka dhe për t’i dhënë një kah tjetër jetës.

Pas kësaj ceremonie  është shfaqur edhe një program i begatshëm kulturor-artistik, me këngë të ndryshme.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img