15,11,2024

6 vjet burgim për goditje vdekjeprurëse me grusht ndaj personit me aftësi të kufizuara, familjarët e viktimës të pakënaqur

Must Read

Dënimi me 6 vjet burgim i Bujar Shahinit për goditjen me grusht në fytyrë që e la të vdekur një person me aftësi të kufizuara, po e kundërshtohet nga familjarët e viktimës. Madje avokatja e viktimës paralajmëron se për këtë rast do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.

Gjithçka rreth rastit që përfundoi me vdekjen e një personi me aftësi të kufizuara nisi në hyrje të Ferizajt në fshatin Bibaj.

Më 21 shkurt 2021, në parkingun e një pompe të derivateve Bujar Shahini e kishte goditur me grusht në fytyrë personin me aftësi të kufizuara me inicialet A.L. I njëjti fillimisht ishte dërguar për trajtim në Ferizaj ndërsa rreth mesnatës kishte ndërruar jetë në QKUK.

I pandehuri akuzohej se me dashje i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupor personit me nevoja të veçanta.

Gjithnjë sipas aktakuzës i ndjeri fillimisht e kishte ofenduar të akuzuarin e më pas ia kishte drejtuar grushtin në fytyrë.

Pas kësaj Shahini e kishte goditur këtë person, goditje të cilës ky i fundit nuk i mbijetoi.

Ndaj Bujar Shahinit, Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shqiptuar dënimin me 6 vjet burgim.

Ndërkaq, shoku i tij Jeton Nuredini, i cili akuzohej se edhe pse ishte në dijeni nuk e kishte paraqitur rastin në polici, u dënua 6 muaj burgim.

Por, me dënimet e shqiptuara për këtë rast nuk po pajtohen familjarët e viktimës.

“Ne si familje jemi shumë të mllefosur me vendimin e Gjykatës. Prej fillimit kanë munguar provat, dëshmitarët, për faktin se i akuzuari thotë në fillim se ka parë tre persona te parkingu i autolarjes. Janë edhe deklaratat e mjekëve që tregojnë saktësisht sjelljet arrogante të të akuzuarit, mirëpo as këto deklarata s‘janë marr për bazë si rrethana rënduese për dënim”, ka thënë motra e viktimës, Valbona Leskovci.

Avokatja e palës së dëmtuar, Fehmije Gashi – Bytyqi, thotë se do të dorëzojnë ankesë në Gjykatën e Apelit për çka edhe beson se kjo e fundit do ta rrisë dënimin.

Nga ana tjetër, Gjykatës së Apelit thotë se do t’i drejtohet Avni Ibrahimi, avokati i të dënuarit.

Ai nuk ka dashur të deklarohet më gjatë, mirëpo përmes telefonit, për RTV Dukagjini ka thënë se konsideron që nuk janë trajtuar si duhet të gjitha rrethanat e rastit.

Televizioni Dukagjini ka kërkuar aktgjykimin e plotë, mirëpo nga Gjykata Themelore në Ferizaj është thënë që Kryetari i Trupit Gjykues ende nuk e ka përpiluar me shkrim aktgjykimin.

Ndërkohë, për personat e apostrofuar vlen prezumimi i pafajësisë, deri në një vendim final të organeve gjyqësore.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Erion Veliaj: Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen “Paradës së Shqiptarëve” më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  

Bashkia e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img