26,11,2024

14 Dhjetori në kujtesën kolektive

Must Read

Njëzet e dy vite më parë, me 14 dhjetorë 1998, shumë të rinj të mbledhur nga trojet e ndryshme, përgatiteshin për të marshuar për në Kosovë, me të vetmin qëllim, lufta për çlirimin e Kosovës, e që në analet e historisë zë një vend të rëndësishëm.

Në vendin e quajtur Likenet e Hasit, në Gorozhup të Pashtrikut në krye me komandant Muj Krasniqin ranë për të mos vdekur Dëshmorët e Kombit:

Mujë Krasniqi –Kapuçi, Afrim Musliu, Qen Qenaj, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Ali Krasniqi, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Beqir Gashi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Luljeta Shala, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Rifat Mziu, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Avni Kutllovci dhe Xheladin Xheladini.

Pjesë e dhimbjes dhe krenarisë ishin edhe shumë të rinj nga Ferizaj, të cilët sot me epitet prej Heroit, kujtohen nga familjarë, miq e qytetarë.

Rrugëtimi drejt lirisë nuk i ndaloi asnjëherë, as në kushtet më të vështira, as në dimrat e acartë! Ata çanë shtigjet duke u përballur me pritën nga armiku. Lufta jonë çlirimtare nuk ndalej sepse asaj i dhanë zemër kushtrimi i Adem Jasharit me bashkëluftëtarë, i dha zemër Epopeja e UÇK-së, beteja të zhvilluara gjithandej Kosovës,

Zemër Luftës së UÇK-së i dha acari në dimrin të 14 Dhjetorit 1998, ku në pritën e zënë nga ushtria vrastare serbe u zhvillua beteja e ashpër, në pritën e madhe armike, duke derdhur gjakun.

Gjaku i tyre sot, është në themelet e lirisë, në themelet e shtetit e të ushtrisë.

Në ditët e sotme ish-luftarët e UÇK-së, ndjehen me fat që i takojmë gjeneratës e cila, jo vetëm që barti mbi supet e veta dhe përjetoi luftën çlirimtare, por gjithashtu shijojnë lirinë, ani pse jo ashtu siç kishin ëndërruar luftëtarët dhe kishin imagjinuar Dëshmorët e Kombit.

Në mëngjesin e acartë të dimrit në Pashtrik, tek vendi i quajtur “Likenet e Hasit-Gorozhup”, me të rënë agu i parë mëngjesor, forcat serbe, të cilat paraprakisht kishin zënë pritë, godasin mu në mes të kolonës, me qëllim të krijimit të hutisë. Lufta nis nga të tri anët ku ishin pozicionuar forcat armike. Luftimet ishin  zhvilluar fyt për fyt me forcat ushtarake e policore serbe. Breshëria e armës armike kishte përshkuar trupin e Mujë Krasniqit, të Beqir Gashit, Ali Krasniqit, Rifat Mëziut dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë.

Disa prej tyre kishin mbetur në dëborë dhe ishin ngrirë.

Disa të tjerë ishin plagosur.

Nëntë prej tyre, shumica të plagosur dhe gati të ngrirë nga acari,  ishin zënë robër nga forcat armike.

Më 21 dhjetor të vitit 1998, trupat e 35 dëshmorëve, së bashku me trupin e Mujë Krasniqin, bashkëluftëtarët i varrosin në Polac të Drenicës, me nderime ushtarake.

Nëntë të zënët robër dërgohen në burgun e Nishit.

Ishte menduar edhe në këtë aspekt për të zënit rob.  

Luftëtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Shalës, arrijnë që përmes një aksioni të ndërmarrë, të zënë nga forcat serbe robër lufte, në mesin e tyre oficer dhe ushtarë të rregullt, të cilët më pas shkëmbehen me ushtarët e lirisë, që i kishin zënë në pritë luftëtarët e UÇK-së. 

Pesë (5) të rënë të tjerë të cilëve u kishin humbur gjurmët në dëborën e madhe janë zbuluar nga bashkëluftëtarët e tyre dy muaj pas mbarimit të luftës.  

Rënia e Mujë Krasniqit dhe e disa trimave të tjerë të elitës luftarake të UÇK-së, më 14 dhjetor të vitit 1998, edhe pse ishte goditje e rëndë  për luftën tonë çlirimtare, ajo nxiti edhe më tej luftën e pa kompromis për lirinë e Kosovës nga barbaria serbe.

Radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës asnjëherë nuk e humbën shpresën, për lirin e pritur.

Ngjarja historike, e nisur nga Cahani i Shqipërisë, për te hy në vatrën e luftës në Kosovë, marshimi i ushtareve të përbërë nga 142 ushtar, nga të gjitha trevat, hasi në pengesën e rrugës që do ta përshkonin, ku rreth orës 2 të natës së 14 Dhjetor 1998, në pritën e vendosur nga forcat policore e ushtarake serbe, do të shënohet data historike, datë për ta ndryshuar rrjedhën e historisë, për tu kujtuar e respektuar gjaku i derdhur për liri.

Liria ka emër, ka emër Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka Dëshmorët e Kombit,

Invalidët, Veteranët dhe të gjithë akterët e tjerë.

Lavdi për jetë e mot, për të gjithë ju të gjallët Luftëtarë të UÇK-së.

Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit.

Ferizaj 14.12.2020                                                MA: Nexhat Shahini (Magjistër i Historisë)

                                                                                                 Veteranë i UÇK-së

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img