26,12,2024

Pacientët me Covid-19 blejnë vetë ilaçin Favipiravir, Ministria nuk ua siguron atë

Must Read

Deri në 80 euro, pacientët e infektuar me virusin Covid-19 po detyrohen ta blejnë ilaçin Favipiravir, i cili është treguar efektiv në trajtimin e rasteve të infektuara me këtë virus.

Një nga pacientët e infektuar me Covid-19, i cili është duke u trajtuar në Spitalin e Gjilanit, ka treguar se edhe pse ky ilaç i është përshkruar nga infektologët, ai nuk i është siguruar nga spitali.

Për këtë, ai po detyrohet që ta blejë atë vet, përkundër që vështirë se po e përballon blerjen e tij, për shkak të çmimit të lartë.

“Infektologu më ka përshkruar ilaçin Favipiravir që kushtonte 80 euro. Kam kërkuar në spital, pasi që më kanë thënë se ka pasur, por që më thënë se nuk kanë më furnizim. Edhe pse ma ka përshkruar infektologu, unë ende nuk e kam blerë atë. Çmimi i tij është shumë i lartë”, ka thënë ai.

Se ka mungesë të këtij ilaçi, e konfirmojnë edhe zyrtarë të spitaleve.

Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismajli, ka thënë se nuk ka furnizim me Favipiravir për të gjithë pacientët e hospitalizuar.

Ai është shprehur se në Spitalin e Gjilanit janë të shtrirë 76 pacientë me Covid-19, dhe përkundër që infektologët po ua përshkruajnë këtë ilaç, nuk ka sasi për të gjithë.

“Ka një sasi të konsiderueshme të ilaçit, por nuk ka për të gjithë. Ne kemi diku 76 pacient me Covid-19 të shtrirë dhe është shumë problem furnizimi i të gjithëve”, ka thënë ai.

Mungesë të këtij ilaçi kanë edhe spitalet tjera rajonale.

Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri, ka thënë se me këtë ilaç janë furnizuar vetëm për tre pacientët e parë me Covid-19 që kishin marrë trajtim në këtë spital.

“Furnizim kemi pasur për tre paciente parë, por nuk kemi më. Ky ilaç mungon te ne”, ka thënë ai.

Derisa institucionet publike shëndetësore po përballen me mungesë të furnizimit me këtë ilaç, kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë gjatë kësaj jave ka marrë nga Japonia 12 mijë e 200 tableta Favipiravir.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar kërkesë për prokurim në vendet e Bashkimit Evropian për furnizim me “Remdesivir” dhe “Favipiravir”.

Ky ilaç po vlerësohet shumë i nevojshëm për pacientët me Covid-19.

Infektologu, Ilir Tolaj, ka thënë se edhe pse ky ilaç është zbuluar për sëmundje tjera, ai është treguar efektiv edhe në trajtimin e virusit Covid-19.

Sipas tij, Favipiravir është prej ilaçeve të rralla që nuk ka efekte anësore te pacientët.

“Ky ilaç duhet të përdoret për rastet më të lehta, sa më herët që përdoret aq më efektiv do të jetë. Favipiravir është prej barnave të rralla që ka shumë pak ose aspak efekte anësore”, ka deklaruar ai.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img