Tërnava: Po shikojmë mundësinë e hapjes së xhamive meqë numri i të prekurve me COVID-19 po zvogëlohet

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë sot se janë duke e shqyrtuar mundësinë për hapjen e xhamive meqë numri i të infektuarve me COVID-19 është duke u zvogëluar dita ditës, raporton Gazeta Express.

Në një mesazh përmes të cilit iu drejtuar besimtarëve myslimanë në ditën e xhuma, Tërnava ka thënë se do të shohin nëse do të jetë e mundur që të fallen namaze e xhumasë dhe ato ditore nëpër xhamia, meqë sitauta më COVID-19 është përmirësuar ndjeshëm.

Ai ka thënë se për një gjë të tillë janë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik.

“Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik dhe do të shohim mundësinë e parë të faljes së namazeve në xhamitë tona, sigurisht që edhe unë edhe ju të gjithë jemi të etur të kthehemi në shtëpitë e Zotit, se Zoti ne Kuran na ka thënë: “Xhamitë janë të Zotit dhe në to nuk meriton të adhurohet askush përveç Zotit”. Inshallah shumë shpejt me emrin e Zotit do të largohet virusi dhe do të kthehemi xhamive tona”, ka thënë  myftiu Tërnava.

Aktualisht Kosova ka më shumtë të shëruar me COVID-19 sesa të infektuar dhe numri i personave të infektuar me COVID-19 që gjenden në Klinikën Infektive është shumë i vogël.

Megjithatë pavarësisht një gjendje të tillë nga IKSHPK bëjnë thirrje për respektim strikt të distancimit social dhe respektimit të rekomandimeve për vendosje të maskave, dorezave dhe mos grumbullimit të panevojshëm.

Scroll to Top