Dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë, që llogariten të jenë pjesë e Agjencisë Inteligjente Serbe (BIA), kanë tentuar në Leposaviq që ta arrestojnë një person dhe ta dërgojnë në Serbi, pasi ndaj tij është lëshuar një fletarrestim nga autoritet serbe, shkruan Gazeta Metro.
Dy agjentët e BIA’s që në Veri njihen si punëtor të MUP’it serb, V.S. (44 vjeçar) dhe V.D. ( 36 vjeçar), kanë rrahur e i kanë djegur veturën serbit T.S. (44 vjeçar).
T.S. nga Novi Pazari është bërë cak i sulmit në Veri, ati i janë djegur dy vetura, njëra e markës ‘Passat’ me tabela të Shabacit të Serbisë dhe tjetra ‘Reno Megan’ me regjistrim të Beogradit, shkruan Gazeta Metro.
Një javë pas kësaj, T.S. është rrahur fillimisht brenda lokalit të njohur ‘Cezar’ në Leshak të Leposaviqit, pas u rrah nga dy agjentët e BIA’s, ata e kanë futur me forcë në veturën e tyre dhe janë nisur për të depërtuar përtej kufirit të Jarinjës, saktësisht në Serbi.
Por, Policia e Kosovës ishte në dijeni për rastin dhe i’u vënë prapa tyre dhe ka arritur ta ndalë automjetin e rrëmbyesve me gjithë viktimën.
Patrulla policore në afërsi të kufirit ka hasur në automjetin ‘Toyota Land Cruiser’ ngjyrë ari, me regjistrim të Beogradit, nga aty ka dalur T.S. dhe ka hyrë automjetin e Policisë, kurse dy agjentët janë përpjekur të ikin me veturë në drejtim të Serbisë, por kanë hasur në kolonë të gjatë të automjeteve, për ç’arsye kanë ndalur veturën dhe këmbë kanë filluar të ikin në drejtim të Serbisë.
T.S. dyshohet të jetë person në kërkim nga MUP’i serb, për shkak të përfshirjes së tij në disa veprave kriminale, por Policia e Kosovës nuk ka dhënë hollësi për këtë, vetëm se ka treguar se ai nuk ka dëshiruar mbrojtje nga PK.
Lajmin për këtë përplasje të Policisë së Kosovës me BIA’n serbe e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, Branislav Radovic.
“Policisë në Stacionin e Leposaviqit i ka arritur një informatë të enjten, në orët e pasdites, se të dyshuarit V.S. (1975) dhe V.D. (1983) kanë rrahur T.S. (1975) nga Novi Pazari në lokalin ‘Cezar’ në Leshak dhe se ata e kanë futur në automjetin e tyre dhe janë drejtuar nga vendkalimi kufitar në Jarinjë. Patrulla policore në afërsi të kufirit ka hasur në automjetin ‘Toyota Land Cruiser’ ngjyrë ari, me regjistrim të Beogradit. Në automjet janë gjetur të dyshuarit dhe viktima, i cili me kërkesë të Policisë ka dalë nga automjeti i rrëmbyesve dhe ka hyrë në automjetin e Policisë. Gjatë asaj kohe të dyshuarit janë përpjekur të ikin me veturë në drejtim të Serbisë, por kanë hasur në kolonë të gjatë të automjeteve, për ç’arsye kanë ndalur veturën dhe këmbë kanë filluar të ikin në drejtim të Serbisë”, ka shpjeguar Radoviq.
Prokurori i shtetit rastin e ka regjistruar si “Rrëmbim”, derisa hetimet janë duke u zhvilluar duke mos dhënë sqarime më shumë.