Në javën e tretë të muajit tetor, çdo herë kujtojmë si një ngjarje shumë të rëndë që goditi trevat shqiptare, por natyrisht edhe vet trevën e Ferizajt, e cila ishte pjesë integrale e të gjitha proceseve politiko-shoqërore që e përcjellën vendin përgjatë historisë së tij, në periudha të ndryshme kohore, duke na dhënë mundësi që të njohim rrethanat, nëpër të cilat kaloi rrethina e Ferizajt në fillim të shekullit XX-të. Kjo që do të potencoj më poshtë ka të bëjë me synimet e hegjemoniste të mbretërive ballkanike që kishin për synim të merrnin sa më shumë territore pasi që Perandoria Osmane pas 5 shekujve në Ballkan, i kishte numëruara ditët si një Perandori sunduese.
Rrëfimet e misionarëve perëndimore për pasojat që solli për shqiptarët Lufta Parë Ballkanike
Përmasat e dhunës dhe brutalitetit që u përdorën nga ushtritë e Aleancës Ballkanike në operacionet e tyre në Kosovë dhe Shqipëri nuk arritën t’i shpëtonin syrit të opinionit perëndimor. Masakrat masive dhe toka e djegur ishin praktika të përditshme që bënin ushtritë ballkanike në trojet shqiptare duke nisur nga Kosova, për t’u shtrirë edhe në trevat tjera, duke bërë që spiralja e dhunës dhe terrorit serbo-malazez të godiste çdo pore të jetës.
Lidhur me përmasat e konfliktit shumë diplomat dhe misionarë evropian, që ndodheshin në Ballkan, në periudhën e Luftës së Parë Ballkanike, kanë lënë dëshmi rrëqethëse për krimet e kryera nga ushtritë e mbretërive Ballkanike mbi shqiptarët. Lidhur me këto rrëfime tronditëse do të trajtojmë dëshmi misionarëve angleze si Edit Durham e cila kishte ngritur zërin e saj, së pari ndaj vendit të saj( Mbretërisë së Bashkuar) pastaj edhe ndaj fuqive tjera, për të penguar synimet pushtuese të vendeve Ballkanike ndaj tokave shqiptare.
Qyteti i Ferizajt është pa banorë- si pasojë gjenocidit serb
Lidhur me rezistencën e armatosur të Ferizajt, gjatë vitit 1912 kundër depërtimit serb përkatësisht kundër mësymjes së Armatës së tretë Serbe. Burime të kohës flasin për 1200 të vrarë në qytet dhe fshatrat përreth tij. Këto të dhëna i pohon edhe shtypi bashkëkohës, duke shtuar se: “Qyteti i Ferizajt është pa banorë. Në të jetojnë jo më shumë se tre shqiptarë të moshës 15 deri 18 vjeçare”.
Burimet serbe e pranojnë numrin e përmendur të të vrarëve, por, sipas tyre, fjala është për luftëtarë të armatosur që ranë në luftime kundër ushtrisë serbe. Në Ferizaj, pohojnë këto burime, vetëm ditën e parë të luftimeve (26 tetor 1912) u vranë 600 persona, kurse të nesërmen numri i shqiptarëve të vrarë, siç njoftohej nga Komanda Supreme e Ushtrisë Serbe, ishte mbi 1000 vetë. Kurse serbët në këto luftime kishin pasur 25 ushtarë të vrarë dhe 6 të plagosur.
Pamje e mbërritjes së Armatës Serbe e cila ishte duke e pushtuar Ferizajn në tetor 1912
Për të siguruar vërtetësinë e dëshmive të përmendura mbi përmasat e krimit mbi shqiptarët në Ferizaj dhe rrethinat e tij, kemi shfrytëzuar edhe burime alternative. Përgjatë muajve të parë të luftës së Parë Ballkanike e cila kishte shpërthyer me 16 tetor 1912, ku shtetet ballkanike (Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia) i shpallën luftë Perandorisë Osmane duke bërë që trojet shqiptare të jenë arenë luftimesh, duke bërë nga sulmet pushtuese të forcave ballkanike u vranë Kosovë dhe Shqipëri mbi 25.000 persona. Programi i politikës serbe ishte prerë ”të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise” ishin të shumta qytetet të cilat ju nënshtruan dhunës dhe terrorit serb të vjeshtës së vitit 1912, duke nisur nga Peja, Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Kumanova, Prizreni etj. Pushtimi i Kosovës shoqërua me një dhunë sistematike të paparë, ku nga kjo u detyruan të shpërngulen mese 150 shqiptarë Kosova për në vende të ndryshme kryesisht për në Turqi.
Masakrat ndaj popullatës civile nëpër fshatrat e Ferizajt
Një material memorial i mbledhur në terren zbulon identitetin e një numri të konsiderueshëm të viktimave. Pothuaj të gjithë të vrarët, sipas kujtesës popullore, kishin qenë të pushkatuar pasi ishin kapur nëpër shtëpitë e tyre. Sipas këtij hulumtimi rezulton se në fshatrat e rrethinës së Ferizajt, u pushkatuan shumë shqiptarë duke nisur me fshatrat:
- Fshati Sojevë
Nga të vrarët numri arrin në 40. Sipas të intervistuarit tonë, më së keqi e pësoi familja nëntë anëtaresh e Shyqeri Begut, e cila u masakrua e tëra.
- Sazlia fshati me mbi 100 viktima
Mbështetur në të dhënat që na i ofron dr. Liman Rushitit, që kishte arritur të merrte informacione në terren, ku më këtë rast ka arritur të identifikoi numrin e të vrarëve nëpër fshatrat e Ferizajt. Sipas tij, ku më së shumti të vrarë pati fshati Sazli, 103.
- Fshati Papaz
Nga 20 të vrarët në fshatin Papaz, kemi arritur të identifikojmë emrat.
- Fshati Komogllavë
Në këtë valë të terrorit serb në Komogllavë pati 24 të vrarë. Të gjithë u ekzekutuan në oborrin e xhamisë së fshatit.
- Në Varosh u ekzekutuan 60 vendas dhe 47 mysafirë.
- Në Zllatar u vranë 12 vetë.
- Prelez i Muhaxhirëve 40 të vrarë
- Bibaj 23
- Balaj 24
- Neredime e Poshtme 5
- Neredime e Epërme 6
- Dramjak 9
- Manastirc 4
- Jezerc 8
- Greme 37
- Papaz 20
- Burrnik 5 .
Në bazë të të dhënave të kohës thuhet se brenda periudhës kohore pesë muajshe janë vrarë dhe masakruar qindra burra të paarmatosur, gra, pleq dhe fëmijë të pambrojtur dhe të pafajshëm. Shumë persona janë humbur. Kurse dëmet materiale ishin shumë të mëdha duke llogaritur që shumë fshatra janë rrafshuar me tokë.
Ferizaj në vitet pas pushtimit serb, foto e bërë në vitet e 20-ta, të shek.XX-të.
Autor: Ilir Bytyçi- Përgjegjës për Trashëgimi dhe Muze në Ferizaj