Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që po mbahet në Dubai.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.
“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
“Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, theksohet në reagim.
Në vigjilje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Dubai, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli si dhe zyrtarët e lartë në Qeverinë e Kosovës ishin shprehur të bindur se Kosova kishte siguruar votat për anëtarësim. Por, rezultati i votimit e dëshmoi të kundërtën.
Gjatë gjithë kohës së përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, diplomacia e Serbisë ishte angazhuar në kundër-lobim për të penguar këtë anëtarësim.
Përndryshe, Kosova fillimisht ka aplikuar për t’u anëtarësuar në INTERPOL më 2010 dhe ka përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë. Më 2017, Kosova pati hequr dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.